Vllaznia e basketbollit të femrave ka humbur edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale, duke e mbyllur në këtë mënyrë rrugëtimin e saj në kampionat. Pesë ditë më parë, ky ekip ishte mposhtur në Vlorë në ndeshjen e parë ndaj Flamurtarit me rezultatin 40-58 dhe për koinçidencë me të njëjtin rezultat, ka humbur edhe ndeshjen e dytë, të luajtur në “Qazim Dervishi”.

Pjesa e parë e takimit u mbyll në shifrat 23-22 në favor të Vllaznisë, por në pjesën e dytë ishte një ndeshje krejt tjetër. Flamurtari nuk u pajtua me këtë rezultat dhe reagoi, duke vendosur “diktatin” në fushën e lojës dhe duke fituar krejt takimin me rezultatin 58-40 e në këtë mënyrë, duke u kualifikuar për në finalen e kampionatit. Pas ndeshjes, trajneri Bledar Gjeçaj u shpreh se Vllaznia me kualifikimin në katërshe i tejkaloi parashikimet e saj dhe në këtë mënyrë, ajo e ka “fituar” kampionatin e vet.

Në këtë mënyrë, Vllaznia e mbyll garën e saj në gjysmëfinale dhe sigurisht që ky ishte maksimumi i saj, pasi në përbërje kishte vetëm basketbolliste shkodrane, ku përballë ishin tre rivale të tjera të mbushura me basketbolliste të huaja.

Artikulli paraprakHUMBJA E VLLAZNISË NDAJ LAÇIT NË FOKUSIN E “STAR SPORT”
Artikulli tjetërVOLEJ MESHKUJ, MBYLLET KAMPIONATI PËR VLLAZNINË