Vllaznia e Partizani e kanë mbyllur në barazim 2-2 ndeshjen e tyre. Një duel i luftuar dhe me raste, sidomos në pjesën e dytë, por në fund ekipet ndanë nga një pikë në “Loro Boriçi”. Tashmë, me këtë barazim, kreu i renditjes në Abissnet Superiore mbetet i pa ndryshuar. Të dyja skuadrat e nisën me vrull, teksa Partizani gjeti golin e epërsisë i pari me Mba, i cili shtyu në rrjetë topin. Pas golit, Vllaznia bëri disa përpjekje për të barazuar, por një gjë të tillë e arrin në minutën e 43-të, kur Stojanoviç shënon me kokë, pas krosimit të Kahrimanoviç. Në pjesën e dytë, Vllaznia shënon sërish në minutën e 52-të me Malën. Loja ndizet dhe për shumë minuta, kuqeblutë dominojnë dhe rastet për ta nuk mungojnë. Megjithatë, në minutat e fundit, Vllaznia dhe portieri Qarri dorëzohen, teksa Mba shënon me kokë pas krosimit nga e djathta, duke e mbyllur në paqe me rezultatin 2-2 në Shkodër.
Tashmë pas këtij barazimi, Partizani ruan kryesimin, ndërsa Vllaznia qëndron e pesta, me vetëm dy pikë më pak.