Katër orë debate për arsimin parauniversitar .Mazhoranca dhe opozita në komisionin e edukimit përplasen për emërimet në shkolla

 

Rreth katër orë debate janë zhvilluar në komisionin parlamentar të edukimit mes mazhorancës dhe opozitës për arsimin parauniversitar. Emërimet në arsim, tekstet shkollore apo braktisja e shkollës kanë tensionuar mbledhjen e kanë përplasur deputetët. Qeveria po sheh mundësinë që vitin e ardhshëm tekstet shkollore ti shpërndajë falas për nxënësit në arsimin parashkollor. Një kërkesë kjo e bërë dhe nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në nisje të vitit të ri shkollor. Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, e thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Edukimit, tregoi se për të detajuar nismën janë ngritur grupe të posaçme pune. Thuajse i vetmi moment dakordësie mes mazhorancës dhe opozitës në mbledhjen për problemet në arsimin parauniversitar që për rreth katër ore e dominoi debati. Sipas demokratëve, emërimet në arsim bëhen sipas përkatësive partiake. Argumentet i dhanë nga zonat që i kanë nxjerrë deputetë. Tensioni nuk mungoi as kur në diskutim u soll raporti i organizatës ndërkombëtare në mbrojtje të fëmijëve UNICEF, sipas të cilit, rreth 15 mijë fëmijë kanë braktisur shkollën. Kryesisht në zona të thella në vend, nxënësit pavarësisht moshës, janë grupuar në të njëjtën klasë. Ministria përllogarit 3280 klasa kolektive dhe synon që ta ulë numrin e tyre me 30%. Ndërkohë që, në shkolla kanë nisur inspektimet për të marrë informacione se me çfarë tekstesh po punojnë mësuesit dhe a po e respektojnë katalogun e miratuar me qëllim shmangien e librave me gabime.

Artikulli paraprakZBULOHEN TRITOL, ARMË DHE KANABIS, OPERACION I MADH POLICOR
Artikulli tjetërARRESTOHET THEMELKO. 30 DITË BURG PËR KRYEBASHKIAKUN E PUSTECIT