Një makinë ka dalë nga rruga në aksin Shkodër-Hani Hotit duke përfunduar në një kanal.

Si shkak i këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur tre persona. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Shtoj rreth orës 14:15 të së dielës. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se 3 të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën pasi kanë pësuar lëndime të lehta. Shkak i këtij aksidenti është bërë lagështira në rrugë duke bërë që mjeti tip Opel me targë AA 584 CX të humb kontrollin dhe të përfundojë në një kanal. Kalimtarë të rastit kanë ndërhyrë me shpejtësi duke ndihmuar 3 personat që ndodheshin brenda mjetit për t’i nxjerrë jashtë. Ndihma e kalimtarëve ka shpëtuar 3 shtetasit që po udhëtonin nga Shkodra në drejtim të Hanit të Hotit sepse vetëm pas pak makina që u aksidentua është përfshirë nga flakët e zjarrit. Përveç ambulancës në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe efektivët e repartit të zjarrëfikësve të Shkodrës të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Fatmirësisht 3 personat që përfunduan në kanal nuk kanë qenë duke lëvizur me një shpejtësi të madhe gjë e cila ka bërë që të pësojnë dëmtime të lehta por edhe të dalin me shpejtësi nga mjeti tip Opel me ndihmën e kalimtarëve të rastit. Policia ka mbërritur në vendngjarje duke bërë edhe hetimet paraprake të këtij aksidenti. Rruga Shkodër-Hani Hotit vijon që të mbetet një aks problematik duke u kthyer kështu në një burim aksidentesh.

Artikulli paraprakKUPA “PAVARËSIA”, KAJOSHI MË I MIRË NË KOSOVË
Artikulli tjetërAKSIDENT I RËNDË, VDES NJË VAJZË, 4 TË PLAGOSUR RËNDË