Ajo që nisi para një viti në Serbi me Kombëtaren, vazhdoi sot me Skënderbeun në Rusi, teksa gjatë ndeshjes përballë Lokomotivës së Moskës të vlefshme për Europa League, tifozët vendas janë dëgjuar në kor të thërrisnin disa herë “Ubi Ubi Siptara” e përkthyer “Vdekje shqiptareve” “Vritini shqiptarët” “Kosova është Serbi”.

Pas thirrjeve ndeshja është ndërprerë për pak sekonda, pasi klubi i Skënderbeut ka kërkuar të ndalen koret raciste. Përsa i përket kronikës së ndeshjes, pjesa e parë përfundoi në avantazhin e vendasve 1-0 me një gol të shënuar në minutën e 35’ nga Naise pas një krosimi nga e djathta në zonë. Sulmuesi i Lokomotivës përfitoi edhe nga një rreshtim i gabuar i miqve nga Shqipëria duke shënuar me lehtësi në portën e Orges Shehit. Megjithatë Skënderbeu në pjesën e parë tentoi disa herë për të gjetur golin me Berishën dhe Salihin, por pasaktësia para portës dhe disa herë fati me rusët bënë që të mos gjenin rrjetën. Pjesa e dytë nis me një rast të mirë për Skënderbeun për të barazuar me Salihin. Aksion nga Nimaga, që futet në zonë por portieri e devijon, topi mbetet në lojë dhe Salihi e godet me një kthesë drejt portës, por sërish Guliherme shpëton mrekullisht portën. Pas Salihit tentojnë edhe Radas nga jashtë zone dhe Latifi, por nuk arrijnë që të gjejnë shënjestrën e saktë duke humbur disa raste të mirë. Në momentin më të mirë për shqiptarët, atë që nuk e bëri Skënderbeun e bën Lokomotiva duke shënuar golin e dytë dhe vulosur fatin e ndeshjes. Në të 74’ Abazi gabon në përpjekje për të larguar topin, përplaset me Shehin duke e devijuar te Samedov, që pa u menduar dy herë gjuan drejt portës duke dyfishuar rezultatin. Deri në fund Skënderbu nuk shënoi, por mbajti të paprekur rrjetën duke mos thelluar rezultatin.