Pritej që në muajin shkurt stadiumi “Loro Boriçi” të përfundote plotësisht por sipas gjasave mbase duhet që të presim marsin e këtij viti. Këto pamje të filmuara tregojnë se shtrimi i tapetit të ri ka përfunduar dhe se tashmë punimet për fushën e lojës janë drejt fundit. Ndryshimi i temperaturave dhe i motit këto ditë ka detyruar firmën që po kryen punimet që ta marrë disa masa.

Nga sa shihet thuajse gjysma e fushës është e mbuluar me plasmas. Kjo është menduar në këtë formë në mënyrë që tapeti të mbahet në një temperaturë sa më të ngrohtë dhe të mos dëmtohet nga reshjet e shiut pa përfunduar krejtësisht punimet. Nga ana tjetër vazhdon që të punohet në tribuna por edhe pjesët e tjera të stadiumit. Pjesa më e madhe e punimeve ka përfunduar dhe stadiumi i ri i rikonstruktuar e ka marrë formën e tij por ka ende sërish disa punime të tjera. Tribuna anësore që është shembur për ta bërë të rë është ndërtuar dhe pritet që të vendosen vetëm stolat ndërsa ende punohet në tribunën tjetër. Në këtë mënyrë as pas fillimit të kampionatit në muajin shkurt me shumë gjasa Vllaznia nuk do të mund të luaj në stadiumin e ri. Kështu kuqeblutë do të vijojnë t’i zhvillojnë ndeshjet brenda në fushën sportive “Reshit Rusi”. Në fillim kur nisën punimet premtimet nga ana e FSHF-së dhe presidentit të saj Armando Duka kanë qenë të tjera. Është thënë vazhdimisht se fillimisht stadiumi i Shkodrës do përfundonte brenda 2015-ës por pas problemeve që u shfaqën u tha se maksimalisht stadiumi do jetë gati në shkurtin e 2016-ës. Jemi në ditët e para të janarit dhe nga ato që kanë mbetur për t’i dhënë fund është e qartë se duhet që të presim muajin mars.

Artikulli paraprakPUSHIMI I ADMINISTRATËS BLLOKON PENSIONET
Artikulli tjetërArrestohet në flagrancë një shtetas për “Mbajtje pa leje të armëve luftarake e municionit”.