Nëntë persona të dyshuar se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 56 milionë lekësh të reja, nëpërmjet një skeme mashtruese financiare rimbursimesh, do të dalin para drejtësisë.

Prokuroria e Tiranës njoftoi paraditen e sotme se përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim 9 persona, ndër të cilët zyrtarë të Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe drejtues farmacish. Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se në krye të kësaj skeme qëndrojnë Hysni Roçi, pronar i disa farmacive në kryeqytet, si edhe ish-drejtori rajonal i Fondit, Pjerin Xhuvani. Këta dy persona, në pozicionet e tyre, kanë përfshirë në veprimtari të paligjshme edhe shtatë shtetas të tjerë, përkatësisht 4 drejtues teknik farmacish dhe 3 punonjës të Fondit rajonal të Tiranës. Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se skema ka funksionuar në dy plane, të cilat lidhen me njëra-tjetrën, me qëllimin final përfitimin e paligjshëm të shumave të parave nga rimbursimi i ilaçeve.