Shtesë fondesh për KM, Kuvendin e Kishën.

Qeveria ka emëruar edhe tre anëtarët e komisionit kombëtar të përzgjedhjes për TND, Hysen Çela, Erind Merkuri dhe Aleksandër Xhuvani, i cili do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të Irena Beqirajt. Sot qeveria ka miratuar edhe disa rishpërndarje fondesh. Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në buxhetin e miratuar për vitin 2016 i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 175 000.00 eurosh dhe 125 000.00 dollarësh për kryerjen e pagesave të faturave të avokatëve të kontraktuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ICC, nr.20564/EMT Hydro S.R.L. kundër Republikës së Shqipërisë, dhe ICSID, nr.ARB/15/28 Hydro S.R.L. & Others kundër Republikës së Shqipërisë, si dhe për çdo shpenzim tjetër të lidhur me to, në përputhje me faturat e miratuara nga Avokatura e Shtetit. Ndërsa për Kuvendin në buxhetin e vitit 2016 të shtohet fondi prej 2 372 097 lekësh për shpenzime kapitale. Edhe Kryeministrisë në buxhetin e miratuar për vitin 2016, zëri “Shpenzime operative” i shtohet fondi prej 105 000 000 lekësh, për ministrin e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. Qeveria ka vendosur tre milionë lekë në dispozicion për financimin e Kishës Katolike në Shqipëri, me rastin e Lumturimit të Martirëve Shqiptarë. Gjithashtu sot janë shpronësuar për interes publik, pronarët që preken nga zbatimi i projektit “ndërhyrje rehabilituese në zonën e mbrojtur të qendrës historike të Dhërmiut”.