Ministri i ri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka vizituar familjen e Klodian Rashës, 25-vjeçari që u qëllua për vdekje nga efektivi i repartit Shqiponja Nevaldo Hajdaraj. Pak ditë pasi mori detyrën e re, ministri Çuçi i shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj dhe kreu i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Muhamet Rrumbullaku, u takuan me familjarë të 25-vjecarit të ndjerë, ndërsa vihet re mungesa e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu. Më herët në shtëpinë e familjes Rasha ka qenë edhe kryeministri Edi Rama si dhe ministrja Elisa Spiropali e po ashtu edhe kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Për vrasjen e 25 vjeçarit në kryeqytet dhe jo vetëm u zhvillua për 7 ditë me radhe protesta nga qytetarët që kërkonin drejtësi ndërsa u dorëhoq nga posti i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Ndërsa efektivi i Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj i cili qëlloi për vdekje me armën e shërbimit Klodian Rashën është i akuzuar për vrasje me dashje. Vetë polici më herët ka shprehur pendesën e tij për vrasjen e 25 vjecarit. Procesi gjyqësor ndaj policit të arrestuar do nisë së shpejti ndërsa të gjitha provat dhe dëshmitë janë mbledhur nga prokurori i cili në këtë vendim ka përjashtuar drejtorinë e policisë së Tiranës.