Në bordin e kësaj anije hapësinore mallrash ndodhet një ngarkesë e çmuar për ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Aty janë rreth 3 mijë e 700 kilogramë ushqim, përfshirë edhe përbërësit e gatimit të picave për shtatë astronautët në bord.

Sigurisht, aty ndodhen edhe gjëra tjera të vlefshme si pajisje për montimin e paneleve diellore dhe forma plasteline për një eksperiment francez të quajtur “Blob”.

Rëndësia e kësaj anijeje shtohet sepse ekuipazhi i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës mund t’i jetë shtuar oreksi gjatë lojrave në kuadër të Olimpiadës Hapësinore.

Astronautët u ndanë në dy ekipe dhe garuan në lojëra me zero gravitet si lëvizjet e sinkronizuara pezull dhe gjimnastikë. NASA nuk njoftoi nëse dikush mori medalje.

Duke vrojtuar më thellë në hapësirë, sonda e NASA-s “Perseverance”, nuk fitoi një medalje këtë javë për rmbledhjen e mostrave të shkëmbinjve marsianë.

Makineria bëri një çarje me diameter gati tre centimetra. Por tubi i mostrës ishte bosh. Shkencëtarët e NASA-s thanë se shkëmbi nuk ishte mjaftueshëm i fortë sa për të marrë një mostër të mirë.

Por si çdokush që përpiqet të marrë medalje, Perseverance dhe ekipi i tij vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një vendi të ri për gërmime. Nga sipër marsit vjen ky imazh i shkrepur nga helikopteri Ingenuity.

Në këtë pamje është e vështirë të dallohet sonda Perseverance, por shkencëtarët e NASA-s sollën edhe një pamje të zmadhuar ku ai mund të shihet. Ndërkohë, për ata që ndodhen në tokë java sjell lajme të përziera.

Pasi analizuan rrugët që pritet të përshkojë asteroidi Benu, shkencëtarët kuptuan se gjasat që ai mund të godasë planetin Tokë janë më të mëdha sesa ishin parashikuar.

Por përsëri, shanset janë shumë të vogla. Anija hapësinore e NASA-s Osirir-Rex niset në tokë pas mbledhjes së mostrave nga asteroidi dhe grumbullimi i mjaftushëm i të dhënave për të parashikuar më mirë rrugën e tij në dyqind vitet e ardhshme.

Më në fund gjatë kësaj jave, pas një raporti të frikshëm të Kombeve të Bashkuara mbi klimën, shkencëtarët hedhin një vështrim në gazin e metanit, që ata e konsiderojnë si shkaktarin kryesor të ngrohjes globale dhe shumë më të rrezikshëm sesa dioksidi i karbonit.

Metani është një nënprodukt i industrive të naftës dhe gazit. Duke përdorur një aparat me rreze infra të kuqe që kushton rreth 120 mijë dollarë, studiuesit mund të shohin rrjedhjen e gazit të padukshëm nga termocentralet.

Rreth 60 për qind e metanit në botë vjen nga aktivitetet njerëzore si bujqësia, menaxhimi i mbeturinave dhe prodhimi i karburanteve fosile. Çlirimi i metanit mund të shihet edhe nga hapësira.