Prej afro një muaji autori Ndrekë Gjergji ka botuar librin e tij të fundit të titulluar “Tryeza e Shtruar”. Libri i Ndrekë Gjergjit me poezi flet për realitetin e përditshëm me të cilën përballet shoqëria shqiptare. “Kjo është tryeza ime, shenjtëreshë në piedestal, e shtruar me finesë, plot motive të sinqerta. E la altarin e gjoksit, rezidencën ideale, për dashamirësi u bë, pa hezitim, superoferta.” Këto janë disa nga vargjet e shkëputura nga libri me poezi “Tryeza e Shtruar”, i autorit Ndrekë Gjergji.

Ky vëllim i ri poetik përbëhet nga dy pjesë, “Gacat e lisit” dhe “Qëndisma nusërie” e cila të lejon ta shijosh poezinë si një ushqim shpirtëror. Përmes këtij vëllimi të ri autori sjellë për lexuesit përvojën e tij dhe reflektime për jetën bashkëkohore ndërthurur me problematika aktuale të shoqëris tonë. Shumë prej poezive reflektojnë motive të larmishme për kujtimet e autorit, për fëmijërin, miqësin dhe pleqërinë.

Për poetin Ndrekë Gjergji libri “Tryeza e Shtruar” vjen pas një sërë vëllimesh të tjera të botuara ndër vite si “Petalet me vesë”, “Flatrat e një stine”, “Trinia e muzës”, “Sinodi i thëllëzave”, “Ninëza e syrit”, “Kokrriza poleni”, dhe “Gjerdani i rimave”. Poeti Ndrekë Gjergji lindi në Kaçë të Vau Dejsit në vitin 1946.

Ai mbaroi studimet ne shkollën pedagogjike “Oso Kuka” në Shkodër më pas studimet e larta në univeristetit e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për Gjuhë dhe Letërsi. Pas përfundimit të studimeve për 45 vite ka kontribuar në fushën e arsimit ku ka dhënë mësim në fshatra të ndryshme si Vermosh, Mnel, Hajmel, Nënfshat dhe në fsahtin Kaçë të Vaut të Dejës ku dhe ka punuar pjesën më të madhe.