Motra e Aleksandër Sadikajt ka thyer heshtjen pas vrasjes së vëllait të saj, që tronditi mbarë opinionin publik. Në një intervistë, ajo ka deklaruar se vëllai i saj nuk ruhej nga askush dhe se bënte një jetë të qetë, ndërsa shton se jepte para me fajde, por vetëm shuma të vogla për të afërm dhe miq.

“Nuk të vret njeri për aq pak para”, thotë ajo.

Ndërkohë sa i përket armës që gjetur në makinën e tij, ajo thotë se nuk ka pasur dijeni, por shton se ai armën nuk e ka mbajtur për vetëmbrojtje. Sakaq, antiplumbin e gjetur në banesë, thotë se ia kanë bërë dhuratë dhe se nuk e ka përdorur asnjëherë.

Sipas saj, 27-vjeçari që u hodh në erë teksa ecte me makinën e tij në afërsi të TEG-ut, nuk ishte as kriminel dhe as i përfshirë në trafik droge, ndërsa tregon dhe sesi e kanë përftuar pasurinë që zotërojnë aktualisht.

Vanesa Sadikaj: Vëllai im nuk kishte konflikte me asnjë njeri, ishte i lirë, bënte jetë familjare me ne. Lëvizte në këmbë, i pëlqente të bënte xhiro me bicikletë. Rrinte gjithë ditën në lokalin familjar që kemi në Tiranë. Ne kemi bërë një jetë të qetë, mediat po shkruajnë shumë gjëra të pavërteta.

Ai jetonte në një shtëpi me qera prej 4 vitesh, nuk e kishte ndërruar kurrë, bashkëjetonte me një vajzë. Unë shkoja pothuajse çdo natë atje, më merrte me makinën e tij bashkë me vajzën time të vogël. Me atë makinë që ndodhi ngjarja, shkonim në shtëpinë e tij.

Pyetje: Është gjetur një anti-plumb në banesën e vëllait tuaj, ju e dinit?

Vanesa Sadikaj: Po e dija, është një dhuratë që ia ka bërë një shok nga Greqia dhe nuk është përdorur asnjëherë dhe kjo gjë mund të vërtetohet edhe nga ekspertiza.

Pyetje: Po në lidhje me dylbitë?

Vanesa Sadikaj: Ne kemi një faqe online ku shesim aksesorë për kafshët, ata dylbi janë në shitje tek faqja, nuk e di nëse përdoren për të parë zogjtë por aty i shisnim.

Pyetje: Një tjetër dyshim është se vëllai juaj ishte i përfshirë në një grup kriminal në Hollandë…

Vanesa Sadikaj: Nuk ka lidhje fare, vëllai im nuk njeh njeri atje, nuk ka shkuar kurrë në Hollandë.

Pyetje: Po sa i përket dhënies së lekëve me fajde, sa e vërtetë është?

Vanesa Sadikaj: Kjo është e vërtetë, por kanë qenë shuma të vogla të dhëna tek shokët dhe miqtë e afërt dhe që nuk kanë lidhje me këtë gjë sepse askush nuk do e bënte një atentat të tillë për shuma të vogla.

Ai ka qenë shumë i lumtur kohët e fundit, kemi qenë shumë të lumtur bashkë, duke kaluar momente të bukura, pa pasur asnjë lloj shqetësimi sepse ai çdo gjë e ndante me mua.