Ata i kanë vendosur vetes një synim të përbashkët: të ndërtojnë një imazh të ri të kuzhinës shqiptare që ta përfaqësojnë në formën më të mirë para botës.

Thelbi i kësaj iniciative është bashkimi nëpërmjet kuzhinës dhe që të jepet një mesazh ndërkombëtar që shqiptarët ekzistojnë dhe se kuzhina e tyre është e pasur dhe e shëndetshme. Për këtë arsye po hartohet një plan i përbashkët për realizimin e një aksioni që të prezantohet në vendet perëndimore, si në Gjermani, Zvicër, Angli etj. “Qëllimi ynë po ashtu është që brezat e rinj të furnizohen me një ushqim të ri jo vetëm nga pamja, por edhe nga cilësia, në mënyrë që të hamë më pak, por të jemi më të shëndetshëm. Kjo është një iniciativë që ka munguar deri më tani.” – shprehet Faruk Neziri, një ndër shefat më të famshëm të kuzhinës në Itali. “Kuzhina jonë është e bazuar shumë në origjinën tonë dhe në mënyrën e të jetuarit. Duke ditur që ne jemi një popull blegtor dhe bujk, do gjejmë në kuzhinën tonë përdorimin e shumtë të mishit, bulmetit dhe perimeve apo zarzavateve.” – pohon Sokol Prenga, shef i “Delikatesës”. “Karakteristikë e kuzhinës sonë është dhe ajo që quhet kuzhinë luge, ku gatime të ndryshme shërbehen me lëng. Por kjo nuk përjashton dhe mënyrën e gatimit me pjekje, ku një rol te veçantë luan dhe pjekja me saç e mishrave, brumërave deri dhe te ëmbëlsirat, mënyrë kjo që i jep një shije dhe karakter të veçantë gatimit. Sot, shumë kuzhinierë janë në rrugë të mbarë për promovimin e kësaj kuzhine dhe sjelljen e saj pse jo dhe në formën bashkëkohore të shërbimit, pa i ndryshuar asaj rrënjën dhe shijen, në këtë mënyrë do kemi mundësinë të paraqitemi kudo duke mos mbetur prapa shumë vendeve evropiane”, shton Prenga, duke përfunduar: “Besoj se kjo kuzhinë do jetë një vlerë e shtuar e turizmit shqiptar, sepse ka shumë për të thënë dhe për të dhënë”. Përparim Babalija, shef kuzhine nga Kosova, thotë se gjëja më rëndësishme për kuzhinën e një kombi është prejardhja e ushqimit dhe zonat ku na rrethojnë dhe natyra çfarë ofron. “Gastronomia është një turizëm në vetvete dhe kuzhina jonë kombëtare, ka shumë për të treguar duke u ndarë në shumë zona dhe krahina të ndryshme ku flitet shqip duke theksuar që ne si komb kemi çfarë t’u ofrojmë. Tani ka ardhur koha që shumë nga këto receta të ripërpunohen me kujdes në një tjetër mënyrë gatimi dhe servirjeje. Rëndësia e veçantë është se ne po i bashkojmë forcat që të dërgojmë kuzhinën tonë të pasur aty ku e ka vendin, në top kuzhinat botërore”, – përfundon Babalija.