Është vetëm 13-vjeçe, por Viki Tafrruku ka shkëlqyer në kampionatin e të rejave dhe të rriturave, që është zhvilluar këtë të dielë në kryeqytet. Ajo është ngjitur plot shtatë herë në podium dhe kjo tregon më së miri për vlerat e kësaj notareje, që po e përfaqëson në mënyrën më të mirë të mundshme ekipin e Vllaznisë. Tafrruku, e shoqëruar nga trajneri i saj Kolë Shiroka, i ka sfiduar notaret më të mëdha në moshë dhe këtë e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në fakt, ajo ka moshën për të konkurruar edhe për dy vite të tjera në garat e fëmijëve, por ambiciet e saj e shtynë që këtë herë të konkurronte edhe më të rejat dhe të rriturat, teksa rezultatet e saj nuk kanë munguar.

Në garën 50-metra shpinë, Viki Tafrruku është shpallur jo vetëm kampione me të rejat, por edhe me të rriturat për vitin 2024. Në garën e 400-metrave stil i lirë, ajo ka zënë vend të parë për të reja dhe të dytë për të rritura. Në 100-metra stil i lirë, ka zënë vend të dytë për të reja, ndërsa në 50-metra stil i lirë, ka zënë vend të tretë si për të reja, ashtu edhe për të rritura. Këto rezultate tregojnë më së miri se bëhet fjalë për një notare shumë të talentuar dhe që premton për të ardhmen, teksa sigurisht që në garat e tjera, rezultatet e saj pritet të jenë edhe më të larta.

Artikulli paraprakVLLAZNIA U-19 RIKTHEHET TEK FITORJA
Artikulli tjetërVOLEJ FEMRA, MBYLLET KAMPIONATI PËR VLLAZNINË