25 vjeçari maroken është shoqëruar nga agjentët e policisë franceze në gjykatë. Pamjet e ekskluzive të emetuesit francez Itele tregojnë se Ayoub El-Khazzani, marokeni që tentoi të kryente një masakër në trenin e shpejtësisë së lartë Amsterdam –Paris të premten e kaluar duket me këmbëzbathur, sy të lidhur i veshur me uniformën e burgut. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë të shumë personave dhe lidhje me organizatë terroriste.

TERRORISTI KA QËNË EDHE NË SHQIPËRI NË QERSHOR
Marokeni Ayoub El-Khazzani që tentoi të kryente një masakër në trenin e shpejtësisë së lartë Amsterdam -Paris, ka qenë edhe në Shqipëri. Prokurorët francezë thanë në një konferenë për shtyp se 25 vjeçari i lidhur me organizata ekstremiste më 4 qershor ishte në Tiranë. Në bazë të hetimeve, El-Khazzani ka udhëtuar muajt e fundit në provincën Hatay në juglindje të Turqisë në kufi me Sirinë dhe më pas ai është kthyer në Stamboll dhe ka përdorur Shqipërinë për tu rikthyer në Europë. Sipas hetuesve, ai ka përdorur këtë rrugë udhëtimi për të fshehur gjurmët pasi ka dyshime të forta se ai ka qendruar në Siri ku mund të ketë krijuar kontakte me militantët e shtetit islamik.
ALARM PËR BOMBË NË SELINË QËNDRORE TË SPD NË BERLIN
Selia qëndrore e Partisë Social Demokrate SPD në Berlin u evakuuar gjatë së mërkurës pas një alarmi për bombë. Zyrtarë të partisë konfirmuan se kërcënimi për bombë erdhi përmes një telefonate të paidentifikuar. Ngjarja gjermanë vjene vetëm një ditë pasi zëvendës kancelari Sigmar Gabriel nga partia Social Demokrate vizitoi qytetin e Hajdenaut, që prej ditësh është përfshirë nga protesta kundër azilkërkuesve. Mediat gjermane raportojnë se forca policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kontrolluar për të vërtetuar nëse vërtet ekziston një kërcënim për bombë .