PROBLEM KRYESORË, BASHKËPUNIMI POLITIK DHE SISTEMI GJYQËSOR. Komiteti për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian miratoi draft-rezolutën e komisionerit për vendin tonë Knut Fleckenstein, me 51 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime.

Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian nënvizon për nevojën për dialog gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe të qëndrueshëm të reformave, si dhe bashkëpunim më të madh mes forcave politike në Shqipëri. Në vlerësimin e tyre mbi progresin e bërë gjatë 2014-tës, ata ritheksojnë mbështetjen e vazhdueshme mbi procesin e integrimit në BE, por theksojnë se vendi ka nevojë të ecë përpara, ndër të tjera, me procedurat e tyre demokratike, për të luftuar terrorizmin dhe për të vendosur një administratë publike profesionale dhe të depolitizuar. Eurodeputetët përgëzuan Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat dhe e shohin këtë si një hap inkurajues për rritjen e përpjekjeve në reformat e mëtejshme. Megjithatë ata paralajmëruan se polarizimi i vazhdueshëm politik mund të rrezikojë përpjekjet e mëtejshëm të integrimit në Bashkimin Evropian dhe u bën thirrje të dy palëve, koalicionit qeverisës dhe atij opozitar të bashkëpunojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive. Komiteti vëren se ka prirje pozitive në luftën kundër trafikimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, por ende e sheh luftën kundër krimit të organizuar si një sfidë të madhe. Shqipëria duhet të bëjë më tepër mbi sigurimin e pavarësisë, efikasitetit dhe përgjegjësinë e gjyqësorit, si dhe për të siguruar pavarësinë e transmetuesit publik.  Eurodeputetët përgëzojnë Shqipërinë mbi klimën e tolerancës fetare, qëndrimin e saj konstruktiv dhe pro-aktiv në rajon si dhe bashkëpunimin bilaterial, sidomos përballë Serbisë e në drejtimin e saj të plotë me qëndrimet e politikës së jashtme të BE-së.

Artikulli paraprakKETI BAZHDARI ME SHOQËRINË CIVILE
Artikulli tjetërLAGJIA “GUERRILE”, INVESTIMET “NË ERRËSIRË”