Riorganizimi i Partisë Socialiste në 61 degë të reja është konceptuar nga partia më e madhe në pushtet edhe si një rifreskim i strukturave drejtuese të saj në bazë, çka pritet që t’i japë efektet e saj në zgjedhjet e 2017-s, ku objektivi i së majtës është shtimi i anëtarësimeve deri në 150 mijë të tillë, çka për PS-në përkthehet në vota që do të sjellin një rezultat pozitiv në zgjedhjet e përgjithshme.

Duke iu referuar udhëzimit, kandidaturat të cilat do të konkurrojnë për kryetarë të degëve, duhet të plotësojnë edhe disa kritere të rëndësishme duke filluar që nga integriteti moral, e deri te papajtueshmëria e dy mandateve si dhe pastërtia dhe kontributet e tyre në dy proceset e fundit zgjedhore, ai i 2013-s si dhe zgjedhjet vendore që u mbajtën në qershor të këtij viti. Ndër të tjera, duke përfshirë edhe tre kriteret e tjera që duhet të merren në konsideratë për kandidatët që do të pretendojnë të zgjidhen drejtues të degëve në 61 bashkitë e reja në vend, do të përjashtohen nga kjo garë kryetarët aktualë të partisë së rretheve dhe njësive vendore, në përputhje me kërkesat e nenit 17 dhe 19 për ato raste kur rezultati i zgjedhjeve të 21.06.2015 është humbës ose më i ulët se zgjedhjet paraardhëse. Udhëzimi, i cili është shpërndarë edhe për kandidatët që do të propozohen për delegatë të kongresit të partisë, përcakton disa kritere kryesore, nga të cilët nuk përjashtohen edhe ata që kanë një funksion shtetëror. “Arsim i lartë; kontribut dhe angazhim politik aktiv në strukturat e partisë, në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme, përgjegjshmëri politike dhe respekt ndaj interesave të anëtarësisë së partisë, reputacion në anëtarësi, në strukturat e partisë dhe në komunitetin vendor; vlera morale e shoqërore dhe pastërti ligjore të figurës së tyre; jo më shumë se 40% e kandidaturave të çdo bashkie të kenë një funksion shtetëror si dhe 50% e kandidaturave të jenë femra dhe 1/3 të grupmoshës 18-25 vjeç”, thuhet në udhëzimet që duhet të kenë parasysh në propozimin dhe zgjedhjen e kandidatëve për delegatë të kongresit të partisë. Ndërkohë që e majta aktualisht është duke verifikuar anëtarësinë, regjistrimin e saj, si dhe duke nisur me propozime për krerë të organizatave socialiste.
Udhëzimi Kriteret për kandidatët
1. Arsimi i lartë
2. Të jenë me vendbanim në territorin e bashkisë ku propozohet të zgjidhet
3. Kontribut dhe angazhim politik të spikatur në veprimtarinë politike dhe elektorale të PS-së të paktën në dy zgjedhjet e fundit (2013 e 2015)
4. Përvojë në organizimin dhe funksionimin e strukturave vendore të partisë
5. Përgjegjshmëri politike dhe respekt ndaj interesave të anëtarësisë dhe komunitetit, reputacion në anëtarësi, strukturat e partisë dhe në komunitet

Artikulli paraprakMËSUESIT, QEVERIA PARASHIKON RRITJEN E PAGAVE
Artikulli tjetërPËRMBYTJE NË JUG TË VENDIT, REGJISTROHET NJË VIKTIMË