Kryeministri Edi Rama ka folur nga Luksemburgu për parakushtet e përmbushura nga Shqipëria për hapjen e kapitullit të parë të negociatave të integrimit me BE apo dhe detyrimet që sjell procesi.

Ndër të tjera Rama theksoi se për herë të parë në historinë tonë që kur Shqipëria u bë shtet sovran në 1912, po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur pavarësisht lidhjeve të tyre me partinë në pushtet apo me të tjerë.

Ai tha se do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të merituar vendin tonë në tryezën e BE-së.

“Ne shqiptarët nuk mund të kemi një plan B kur vjen fjala për liritë individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale. Historia na ka mësuar në mënyrën më të vështirë se kjo nuk mund të gjendet dhe madje as të garantohet jashtë sferës së BE-së. Këto janë A-ja, B-ja dhe C-ja e mënyrës së jetesës europiane. Zgjedhja e një alternative ndaj anëtarësimit të plotë në BE do të ishte të hiqje dorë nga mënyra e jetesës që më së fundi zgjodhëm pasi duruam epoka errësire nën perandori dhe regjime që na u imponuan”, deklaroi Rama.

Ai vijoi: “Për ne nuk është një retorikë proeuropiane, është çështje jete a vdekjeje për ëndrrën tonë që t’u lëmë brezave të ardhshëm një vend ku liria individuale është e padiskutueshme, ku sundimi i ligjit respektohet dhe ku demokracia funksionon për gjithkënd. Alternativat ndaj kësaj ëndrre janë vetëm makthe të llojeve të tjera”.

Rama tha se gjendemi këtu sot sepse Shqipëria ka përmbushur në mënyrë absolute të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë të anëtarësimit dhe mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme. “Do ta bëjmë këtë së bashku me partnerët tanë përmes negociatave me angazhime të qarta e përmes punës së madhe. E bëjmë me përpjekje të ripërtërira dhe për të forcuar arritjet e bëra në reformën e drejtësisë duke nxitur një sistem gjyqësor më transparent, më llogaridhënës. Për herë të parë në historinë tonë që kur Shqipëria u bë shtet sovran në 1912, po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur pavarësisht lidhjeve të tyre me partinë në pushtet apo me të tjerë. Do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të merituar vendin tonë në tryezën e BE-së”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se institucionet tona të reja të drejtësisë të lindura nga reforma më tërësore themelore në drejtësi që është ndërmarrë nga një vend kandidat përpara hyrjes në BE po shënojnë përparime domethënëse.

“Ky progres vetëm sa do të thellohet më tej. Do ta bëjmë këtë duke mbrojtur dhe ruajtur të drejtat e njeriut sigurisht, në një shoqëri gjithëpërfshirëse që nderon diversitetin dhe ruan të drejtat e grupeve të pakicave duke siguruar përputhshmërinë me standardet evropiane ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ne kemi zbatuar tashmë një kuadër mjaft progresiv ligjor, bazuar në standardet e Këshillit të Europës duke shërbyer si një shembull për shumë të tjerë, përfshirë dhe vende brenda BE-së kur vjen fjala për angazhimin për një shoqëri gjithpërfshirëse, ku të gjitha pakicat janë të barabarta dhe të mbrojtura njësoj. Vullneti ynë për të jetuar në frymë dhe në letër këtë legjislacion do të përplotësohet së shpejti me aktet nënligjore. Do forcojmë funksionalitetin e kuadrit tonë demokratik me administratë publike që udhëhiqet nga parimet e efikasitetit, transparencës dhe meritokracisë. Do të ndërtojmë mbi punën e shkëlqyer të një grupi të madh negociatorësh”, tha Rama.

Ai falënderoi kryeministrin Orban dhe qeverinë e tij që na kanë treguar qysh prej ditës së parë vullnetin për të ndihmuar për përcjelljen e dijeve që Hungaria ka përftuar gjatë procesit të vet të afrimit dhe më pas anëtarësimit në BE.

“Mirënjohës për angazhimin tuaj. Më lini ta përmbyll duke shprehur bindjen se çdo sukses që arrin Shqipëria për integrimin në BE, të shihet si një hap përpara për rajonin. BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor. Vendet tona mund të jenë në faza të ndryshme të procesit, por një gjë është ë njëjtë, dëshira për të qenë pjesë e këtij bashkimi. Për shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme, nuk ka rrugë tjetër”.

Artikulli paraprakDY AKSIDENTE NË LEZHË, PLAGOSEN 2 PERSONA
Artikulli tjetërOSO KUKA SHPALLET DËSHMOR I ATDHEUT