Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët se ditën e nesërme e në vazhdim, pritet një përkeqësim i motit, që do të shoqërohet me ulje temperaturash dhe reshje intesive shiu dhe bore.

Sipas buletinit të Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Ministria e Brendshme thotë se moti në të gjithë territorin e vendit, pritet të jetë me reshje shiu dhe bore, të cilat do të shoqërohen me ulje të theksuara të temperaturës. Për pasojë të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale në lartësinë mbi 200 m mbi nivelin e detit, do të preken nga bora dhe ngricat. Sipas parashikimeve, ky dikaster thotë se akset rrugore që mund të preken janë: Shkodër-Koplik-Hani i Hotit; Shkodër-Kelmend; Shkodër-Lezhë-Milot; Vau i Dejës-Pukë; Pukë-Fushë Arrëz; Fushë Arrëz-Qafë Mali;   Rrethet që pritet të preken nga dëbora deri në fund të ditës së shtunë janë kryesisht në rajonet lindore të vendit, nga veriu në jug.   Ndërkaq reshjet e shiut pritet të jënë në sasinë më të lartë në qarkun e Shkodrës ku mund të shkojnë deri në 90 mm.  Për t’u paraprirë situatave të vështira e problematike, MPB ka udhëzuar prefektët dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal që të marrin masat e duhura, sidomos në drejtim të mirëmbajtjes së akseve rrugore duke inspektuar gatishmërinë e mjeteve, forcave, si dhe depozitimin e granileve dhe kripës në segmentet problematikë. Po kështu janë porositur autoritetet vendore që të mbikëqyrin punën e subjekteve të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të koordinojnë veprimet me grupet e ngritura nga prefekti.

Artikulli paraprakTURQIA “SHFRYN DUFIN” NDAJ ISIS QINDRA BOMBARDIME NË SIRI
Artikulli tjetërNISHANI PËR REFORMËN NË DREJTËSI, TË ZBATOHET VENECIA