Që prej 29 dhjetorit kompanisë ajrore Milanese Fly Ernest (ose Ernest Airlines) i është hequr licenca nga ENAC, gjë e cila ka shkaktuar kaos tek qytetarë të cilët kanë marrë biletën e udhëtimit prej kësaj kompanie.

Mediat italiane shkruajnë se për shkak të pezullimit të licencës, 80 qytetarë të cilët kishin biletën e kompanisë ‘Ernest Airlines’ nuk kanë mundur të udhëtojnë.

Mësohet se qytetarët, përfshirë gra dhe fëmijë, kishin mbetur pasditen e së premtes në Aeroportin e Marco Polo di Tessera (VCE), dhe askush nuk u kishte dhënë shpjegim për situatën.

Qytetarët u detyruan të prisnin në aeroport me orë të tëra, por vetëm natën vonë iu komunikua se udhëtimi i atyre që kishin biletat e Ernest Airlines është anuluar.

Më pas policia i ka shoqëruar 80 personat jashtë aeroportit ku janë transportuar me autobus në një hotel rreth 10 km larg aeroportit.

Më pas gjithë mëngjesin e së shtunës nuk është marrë vesh asgjë rreth tyre. Disa prej tyre kanë paguar mikrobusa për t’u kthyer në shtëpi, duke bërë rreth 16 orë udhëtim.

Ndërkohë në aeroportin e ‘Marco Polo’ është konfirmuar problemi me fluturimin, por mbetet mister se përse nuk është anuluar.

Në qendër të çështjes është fakti se kompania që prej 29 Dhjetorit është në listën e zezë të ENAC, e cila vendosi dhe pezullimin e licensës të kësaj kompania, por ky pezullim do të hynte në fuqi më 13 Janar 2020.

Përmes një komunikate enti ka sqaruar lidhur me pikat dhe arsyet e pezullimin si dhe datën kur hyn në fuqi pezullimi i licensës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e pasagjerëve që kanë aktualisht blerë bileta në këtë kompani ajrore.

Por pavarësisht kësaj date mbi 80 të huaj kishin mbetur në aeroportin Marco Polo pa asnjë shpjegim.

Më herët në faqen zyrtare të kompanisë ajore shkruhej: “Linja ajrore jonë duhet të mbyllë përkohësisht shitjet e biletave të fluturimeve,”-thuhet në faqen e kompanisë.

Gjithashtu ata kanë shkruar se do të rikthehen sa më shpejt që të publikohet revokimi i vendimit nga ENAC. Sipas tyre kompania ishte duke ndërmarrë të gjitha veprimet që synojnë marrjen e revokimit të pezullimit.

Deklarata e pezullimit të kompanisë ajrore “Ernest Airlines” nga ENAC:

ENAC pezullon licensën e kompanisë ajrore Ernest që prej 13 Janarit 2020

Enti Kombëtar për Aviacionin Civil informon se ka urdhëruar pezullimin e licensës së operimit për transportin e udhëtarëve dhe mallrave në ajër transportuesit Ernest S.p.A. Pezullimi do të nisë që nga 13 Janari i vitit 2020 për të vetmin qëllim që t’i lejojë kompanisë të sigurojë pasagjerët që aktualisht kanë një dokument udhëtimi, duke dhënë informacionin e nevojshëm për përdoruesit për çdo fluturim të anuluar.

Transportuesi më pas nuk do të jetë më në gjendje të lëshojë bileta udhëtimi. Megjithatë licenca do të mbetet në fuqi deri në 13 Janar 2020 duke marrë në konsideratë edhe ditët festive, si Viti i Ri në Ukrainë, i cili është më 7 Janar 2020 dhe nevojën për të garantuar interesin më të mirë për mbrojtjen e pasagjerit, pasi është vërejtur se nuk ka çështje të menjëhershme kritike që rrezikon sigurinë e operacioneve.

Masa u miratua nga ENAC në bazë të dispozitave të Rregullores (KE) nr. 1008 të vitit 2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian.

Sidoqoftë, nëse transportuesi siguron elementet e garancisë të kërkuara nga rregullat e komunitetit dhe këto elemente vlerësohen në mënyrë të favorshme nga Organet, masa e pezullimit mund të revokohet.

ENAC do të vazhdojë të monitorojë kompaninë ajrore në mënyrë që të verifikojë miratimin e të gjitha nismave të mundshme për të mbrojtur respektimin e të drejtave të pasagjerëve.