Probleme pa fund për stafin teknik të Vllaznisë. Sikur të mos mjaftonin paraqitjet e dobëta të repartit të mbrojtjes, apo dhe portierit në ndeshjen e fundit, për takimin e ardhshëm ndaj Kukësit, trajneri Grima do të ketë probleme edhe në sulm.
Uruguajani Soza do vazhdojë me siguri që të mungojë, por “zëvendësuesi” i tij në këtë repart, në tri ndeshjet e fundit, Arlind Kalaja, do të mungojë në ndeshjen e radhës. Arsyeja është se ndaj Laçit ka marrë kartonin e tretë të verdhë dhe për këtë arsye është i skualifikuar për takimin e radhës. Duke qenë se trajneri aktual i kuqebluve nuk beson te futbollistët e tjerë të këtij reparti, si Paviçeviç, Martinez apo Kdouh, me shumë mundësi në fushë, ndaj kukësianëve, nga minuta e parë në repartin e sulmit do të jetë 19-vjeçari Erald Çinari. Por Kalaja nuk pritet të jetë mungesa e vetme. Edhe mesfushori Haxhibuliç, që u largua i dëmtuar dje nga fusha në Laç, duket se ka një lëndim serioz dhe për këtë arsye mund të mungojë të dielën. Megjithatë, në pozicionin e tij rikthehet Bardulla, ndaj një mungesë e tillë nuk është shqetësim. Ashtu siç është pozitiv edhe rikthimi i Cicmil në mbrojtje, megjithatë shqetësimi kryesor duket se është sulmi. Mungesa e Kalajës krijon jo pak probleme te kuqeblutë, në repartin ofensiv.