Kryeministri Edi Rama do të takohet sot me ambasadorët e huaj në vendin tonë. Mësohet se në fokus të bisedës do të jetë projektligji i qeverisë për amnistinë fiskale. Edhe një herë tjetër Kryeministri Rama u shpreh më se i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale për paratë e shqiptarë.

Rama tha dje për gazetarët se asgjë nuk e ndal këtë qeveri për të legalizuar paratë e shqiptarëve, ndërkohë që duke folur për ata që e kundërshtojnë këtë nismë, kryeministri përmendi edhe rastin e Partisë Demokratike, e cila financohet nga një vend armik, duke folur për skandalin e lobimit rus.

Kryeministri nënvizioi se ai do të tentojë arritjen e një dakordësie me të huajt, por kujtoi se interesi si shqiptarëve është parësor.

Amnistia fiskale dhe penale është nisëm ligjore e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të falur të gjitha gjobat, kamatëvonesat e pasurisë që deklarohet, nëse kryhet regjistrimi i pasurisë së disponuar në 30-vjeçarin e fundit, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit. Personave që aplikojnë për amnisti fiskale u ruhet anonimati dhe nuk i fillojnë procedurat e ndjekjes penale.

Më parë, kryeministri Edi Rama ka thënë se kritikat e të huajve për këtë projektligj nuk janë të sinqerta sepse sipas tij këto vende kanë bërë të njëjtën gjë në kohë të ndryshme. Këtë qëndrim Rama e bëri nga konsultimi publik që zhvilloi për amnistinë me grupet e bizneseve, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e ambasadave më të rëndësishme në vend.

Rama e ka bërë të qartë që projektligji për amnistinë fiskale do të miratohet, duke theksuar se të gjithë shqiptarëve që kanë punuar me djersën e ballin në këto 30 vite do t’ua formalizojnë paratë dhe të gjithë të kenë mundësi që të blejnë shtëpi në atdheun e tyre.

Artikulli paraprakSANKSIONET NDAJ RUSISË, BE VENDOS KUFI PËR ÇMIMIN E GAZIT RUS
Artikulli tjetërSHPËRTHIMET NË NORD STREAM, INTELIGJENCA E BE-SË: ANIJET RUSE ISHIN NË AFËRSI TË TUBACIONEVE