Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në takimin e fundit në Shkodër u ndal në selinë e PS të këtij qyteti në një takim me drejtues të strukturave. Kreu i PS dhe njëkohësh kryeministër i vendit ka qenë i ashpër në fjalën e tij lidhur me rezultatin që Partia Socialiste mori në qarkun Shkodër duke mos marrë më shumë se 3 deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. “Jeni zero, keni qenë shumë keq në zgjedhje. Të gjithë duhet të punoni shumë që të mos përsëritet më ai rezultat.

Këtu në Shkodër, nuk ka fare parti, nuk ka fare PS, as nuk keni bërë antarsime dhe as asgjë tjetër. Duhet që ta nisni punën nga zero për të arritur rezultatet që duhen në përpjekje për të rregulluar gabimet e shkuarës duke synuar një rikthim dinjitoz siç i ka hije partisë politike më të madhe në vend. Vetëm me lulen simbol të PS do të ishin fituar 3 deputetë, pra 3 mandate. Jo vetëm që keni marrë shumë pak por ia keni hequr petalet lules fare”, ka deklaruar kryeministri Rama në mbledhjen me strukturat e PS Shkodër.

Po ashtu kreu i qeverisë ka kërkuar që PS Shkodër të jetë e gatshme për betejën e ardhshme zgjedhore nëse në Shkodër do të ketë zgjedhje të parakohshme për bashkinë. “Duhet të jemi të gatshëm për betejat e ardhshme që mund të kemi. Ndoshta mund të kemi zgjedhje të parakohshme për bashkinë, ndoshta jo, kjo nuk dihet ende sepse Presidenti nuk ka dekretuar një datë dhe mbase nuk e dekreton por ne duhet të jemi gati gjithsesi sepse nuk e dimë se çfarë mund të ndodh”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama bëri të ditur se të gjitha organizatat humbëse do të zëvendësohen nga njerëz të rinj për t’i dhënë një hov tjetër. Më pas një debat është bërë edhe për PS Vau Dejës sepse atje prej kohësh ka një përplasje në distancë mes kryetarit të PS Vau Dejës Kristjan Shkreli dhe kryetarit të bashkisë Vau Dejës Mark Babani. Kryeministri Rama u kërkoi të dyve që të ulen dhe të punojnë bashkë dhe të lënë përplasjet që kanë.

“Kryetari i bashkisë me kryeatarin e Partisë duhet që të bashkëpunojnë”. Kryebashkiaku Babani në fjalën e tij në këtë mbledhje tha se aq vota ka sjellë kryetari i Partisë Shkreli ndërsa ky i fundit deklaroi se nuk mund të merren më shumë vota pa mbështetjen e kryetarit të bashkisë duke konfirmuar përplasjen mes tyre.

Grupi i punës për riorganizimin e PS Shkodër do të kryesohet nga drejtuesja politike Edona Bilali ndërsa pjesë e grupit të punës do të jenë edhe deputeti Benet Beci dhe prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni. Në këtë takim përveç deputetëve të Shkodrës ishin edhe Damian Gjiknuri, Etilda Gjoni dhe Anila Denaj.

 

Artikulli paraprakANA E MALIT, BANORËT: NUK LARGOHEMI NËSE KA PËRMBYTJE
Artikulli tjetërVLLAZNIA-SKENDERBEU, BRDARIÇ: NA DUHET FITORJA PËR KREUN