Refuzimi i propozimit hibrid për reformën në drejtësi i Ndihmës/Sekretares Amerikane të Shtetit Viktoria Nuland nga demokratët, ka nxjerrë në një konferencë për mediat kryeministrin Rama.

Rama deklaroi: Me keqardhje më duhet të them se nuk më vjen i papritur refuzimi që PD i bëri sot propozimit më të fundit për kompromis mbi draftin për reformën në drejtësi. Propozim që këtë radhë e bëri në emër të SHBA dhe BE, Ndihmës/Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland. Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës sepse përgjatë 1 viti e gjysëm të proçesit të hartimit të draftit të reformës në drejtësi PD i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do reformën në drejtësi. E ka bojkotuar proçesin fillimisht për një kohë të gjatë, ka hyrë dhe dalë në proçes duke futur e nxjerrë letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar proçesin, ka baltosur ekspertët e nivelit të lartë si ka mundur dhe sa ka mundur, ku ka mundur. Ka abuzuar pa pushim me opinionin e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht gjatë dimrit pas një paragrafi 55 dhe pastaj me pranverën pas një paragrafi 88, si i mbyturi pas fijes së barit. Është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë duke u thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapë Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vendet e rezervuara.

Artikulli paraprakATHINË, SHKATËRROHET ORGANIZATA E TRAFIKUT TË DROGËS. ARRESTOHEN 9 SHQIPTARË
Artikulli tjetërSHKODËR: KOLAUDIMI I AUTOMJETEVE , RADHË QË NË MESNATË