Zbardhen amendamentet e fundit të ekspertëve të nivelit të lartë për reformën në drejtësi.

Drafti përfundimtar përcakton që, Gjykata Kushtetuese të përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve të emërohen nga Presidenti, 3 anëtarë të tjerë të emërohen nga Kuvendi dhe 3 anëtarë të tjerë nga mbledhja e Gjykatës së Lartë dhe ajo Administrative. Sipas draftit, anëtarët që emërohen nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi zgjidhen nga lista e kandidatëve të hartuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese garanton standardet e kandidimit të hapur, konkurrimit të ndershëm, transparencës dhe përzgjedhjes së kandidatëve më të kualifikuar. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpallë si antikushtetuese një ligj të miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës, me përjashtim të rastit kur është shkelur procedura e miratimit të këtij ligji. Drafti përmban pikën që, Prokurori i Përgjithshëm emërohet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit mes 3 kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili përzgjedh sipas një procedure transparente, publike dhe bazuar në merita 3 kandidatët më të kualifikuar. Nëse Kuvendi nuk emëron Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve kandidati i renditur më lartë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar.

Artikulli paraprakSHTYHET AFATI PËR KARTAT DERI NË DATËN 30 PRILL
Artikulli tjetërGJERMANI, POLICIA ARRESTON 211 PROTESTUES TË PEGIDA