Një proces i riintegrimit të personave të përfshirë në luftërat e huaja do të mund të bëhej, thonë njohës të rrethanave të sigurisë dhe të rikthyerit nga vatrat e luftës “përmes një amnistie të monitoruar për të gjithë pjesëmarrësit e luftërave të huaja në periudhën ndërmjet 2011 dhe 2014”.

Ky proces, thonë ata, duhet të përfshijë njerëz që “nuk e kanë ditur as vetë se çka është duke ndodhur në Siri”. Por, për autoritetet në Kosovë ‘amnistimi i pjesëmarrësve në luftimet në Lindjen e Mesme është i pamundur për shkak të natyrës së veprës së kryer’ dhe mbi të gjitha, për shkak të Ligjit që parandalon pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në luftëra të huaja. Një numër i të rikthyerve nga vatrat e krizës thonë se pjesa më e madhe e atyre që janë përfshirë në luftime kanë qenë ‘të manipuluar’. Albert Berisha, njëri nga të kthyerit që sot udhëheqë me një Institut për Integrim, Siguri dhe Deradikalizim, i tha Radios Evropa e Lirë, se “shumica e këtyre personave kanë qenë viktima të keqinformimit dhe keqpërdorimit, që kanë ardhur nga shumë institucione, përfshirë edhe ato politike”. “Mënyra me e lehtë se si të bëhet riintegrimi i tyre është që të bëhet një lloj amnistie e monitoruar për të gjithë ata persona që kanë qenë nga viti 2011 deri në maj të vitit 2014, kur gjërat në Siri kanë qenë krejt të turbullta dhe asnjë nga ta nuk kanë mundur ta dinë saktësisht se çka është duke ndodhur atje”, tha Berisha. Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në rajon, duke e shndërruar Kosovën në vendin me numrin më të madh të ‘luftëtarëve të huaj’ në Evropë në raport me popullatën e saj. Autoritetet e sigurisë thonë se edhe afro 140 veta kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë edhe gra dhe fëmijë. Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë. Autoritetet në Kosovë thonë se rehabilitimi i të radikalizuarve nuk mund të bëhet përmes amnistisë, por përmes “programeve rehabilituese dhe të risocializimit”, pa përjashtuar edhe masat ligjore. Zëvendësministri i brendshëm në Qeverinë e Kosovës, Valdet Hoxha, i cili njëherësh është Koordinator Nacional Kundër Terrorizmit, i tha Radios Evropa e Lirë, se ‘Kosova funksionon mbi bazën e një legjislacioni pozitiv’. “Ju e dini se Kuvendi i Republikës ka miratuar ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja të qytetarëve tanë, ku dënimi parashihet deri në 15 vjet dhe nuk mund t’i ikim kësaj rregullative. Në këtë kontekst, nuk mund të bëjmë përjashtime, por në kontekst të zbatimit të ligjit po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë që riintegrimi i tyre të mos shihet si masë represive por një vullnet i mirë duke zbatuar ligjin dhe duke i ndihmuar ata që të integrohen dhe riintegrohen në jetën shoqërore”, tha Hoxha. Aktualisht, Kosova ka pak përvojë dhe aftësi në procesin e riintegrimit në shoqëri të të gjithë atyre personave që kanë marrë pjesë në vatrat e krizës në Lindjen e Mesme, thonë ekspertë të fushës së sigurisë. Përveç masave të arrestit dhe përballjes me drejtësinë, njohës të rrethanave, thonë se deradikalizimi bëhet me ‘aftësimin. posaçërisht të institucioneve të vendit, që duhet të trajtojnë jo vetëm të kthyerit nga vatrat e luftës por edhe të gjithë ata që janë radikalizuar brenda territorit të vendit’. Albert Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ‘riintegrimi është i domosdoshëm dhe njëkohësisht edhe i mundur’. “Duhet t’i nënshtrohen të gjithë procesit të riintegrimit që nënkupton punësim, edukim, shkathtësi profesionale, asistenca sociale, ofrim të ndihmës mjekësore e psikologjike e shumë aktivitete të tjera që kishin mundur t’i bëjnë këta persona… të gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri”, thotë Berisha. Qeveria e Kosovës ka miratuar një strategji për rehabilitimin dhe integrimin e personave të cilët kanë qenë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak. Zyrtarët e institucioneve thonë se me ndihmën edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë filluar të punojnë në zhvillimin e një strategjie për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të cilët kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja, ose të cilët janë gjykuar për këtë çështje. Zëvendësministri Valdet Hoxha tha se është koha që institucionet dhe mekanizmat e tjerë të merren me rehabilitimin dhe integrimin e atyre që kanë ikur në vatrat e luftës dhe një rol i rëndësishëm në strategjinë për rintegrim i është lënë edhe klerikëve të besimit islam. “Një numër i madh i këtyre qytetarëve kanë marrë pjesë në këto luftërat të Lindjes së Mesme pikërisht pas indoktrinimit me ideologji të ndryshme ,duke mos i përjashtuar as vendet e lutjeve, xhamitë, qofshin ato të zyrtarizuara apo xhami shtëpi. Në këtë kontekst, natyrisht që roli i BIK-ut dhe imamëve në të gjitha komunat e Kosovës është i pazëvendësueshëm.

Madje pritjet tona janë që ata të kenë një intensitet të shtuar rreth mbajtjes së ligjëratave të devotshme”, tha Hoxha. Një pjesë e imamëve të Kosovës, qenë përfshirë në, siç thuhet, ‘vepra të indoktrinimit të të rinjve që u larguan nga Kosova në drejtim të vatrave të luftës’. Në verën e vitit 2014 nga mbi 60 persona që u arrestuan, 12 ishin imamë të xhamive në Kosovë dhe një pjesë e tyre u përballën me drejtësinë. Një Gjykatë në Ferizaj vitin e kaluar dënoi me 10 vjet burg, imamin e një xhamie të Gjilanit, Zekirija Qazimin, ndërkohë që në Prishtinë një prokuror i Prokurorisë Speciale ngriti padi ndaj një imami të xhamisë së madhe të qytetit, Shefqet Krasniqi, për, siç thuhet, ‘nxitje të veprave terroriste”. Por, thirrjet për përfshirje të Bashkësisë Islame të Kosovës në procesin e riintegrimit të ‘personave të radikalizuar’, janë shtuar, dhe profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, e sheh këtë rol përmes, siç thotë, mekanizmave edukativo-fetar. “Pa riaktivizimin e këtij institucioni fetar [BIK] dhe pa riorganizimin e tij të fuqishëm në parandalimin e interpretimin e jashtëm fetar të ideologëve politikë dhe sektarë të mësimeve islame, përpjekjet e tjera në këtë drejtim nuk do të them se nuk do të jenë të suksesshme, por nuk do të mund të sjellin rezultatin e pritur”, tha Hamiti. Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës ndërkaq thonë se janë të gatshëm që të përfshihen në procese të integrimit dhe rehabilitimit. Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet përgjegjëse në Kosovë kanë një plan strategjik por jo edhe konkret. “Janë bërë disa programe dhe ne presim që në ato programe të përfshihen edhe punëtorët e BIK-it, që bashkërisht me institucionet përkatëse të shtetit të japim kontributin tonë për deradikalizimin të tyre. Unë mendoj se kontributi i BIK-ut është i jashtëzakonisht i nevojshëm në këtë fazë sepse ndoshta jemi më të përgatitur për të krijuar kundërnarrativët me të cilat kanë dal këto grupe radikaliste”, tha Bajgora. Megjithëkëtë, rehabilitimi dhe riintegrimi, i siç cilësohen personave të radikalizuar bëhet, thotë Skënder Përteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, “duke u nisur nga puna me shërbimet korrektuese e deri tek personat dhe familjet e atyre që kanë qenë në vatrat luftës”. “Programet e riintegrimit në Kosovë duhet të jenë programe që i përshtaten nevojave lokale, kulturës dhe kontekstit lokal”, tha Perteshi. Ai tha po ashtu se programe do të duhej t’u dedikohen edhe atyre personave të cilët nuk kanë qenë në vatra lufte e që janë ‘radikalizuar brenda në vendit’. “Për një zbatim të programit të riintegrimit dhe deradikalizmit kërkohet trajnim i stafit dhe institucioneve të shteti, sidomos institucioneve të drejtësisë; shërbimi korrektues e sprovues sepse u mungojnë trajnimet bazike të këtyre programeve”, tha Perteshi. Autoritetet e sigurisë në Prishtinë, thonë se prej më shumë se një viti numri i shtetasve të Kosovës që i janë bashkuar grupeve militante në Siri e Irak ka shënuar një rënie të madhe.

Artikulli paraprakTJETËR TRAGJEDI NË ALPET ITALIANE
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT, DIELL DHE…