Pas paralajmërimeve se Shkupi zyrtar do të ndryshojë qëndrimin sa i përket votimit të Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka porositur se edhe Serbia mund të ndryshojë qëndrimin e saj sa i përket çështjes së emrit Kushtetues të Republikës së Maqedonisë.

Ndryshimi i qëndrimit të Qeverisë së Maqedonisë sipas shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiç do të ndikojë në marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore mes dy vendeve. Këto komente i bëri pas vendimit për të tërhequr personelin e Ambasadës në Beograd. Ndërkohë nga Qeveria e Maqedonisë theksojnë edhe njëherë se sa i përket votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, do ta ketë parasysh pozicionin e shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Paraprakisht u raportua se personeli diplomatik serb u tërhoq nga Maqedonia për shkak të ofensivës së veprimtarisë së inteligjencës kundër Ambasadës së Serbisë në Shkup, kështu pohoi ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, derisa sqaroi se personali diplomatik serb duhet të përgatitet të punojë në mjedisin e ri, në të cilin është përfshirë siç e quajti “faktori i jashtëm”. Sipas Daçiç, një pjesë e personelit do të kthehet javën e ardhshme, ndërsa ambasadori pas të gjitha konsultimeve në Beograd. Ndërkaq Presidenti, Aleksandar Vuçiç u zotua se do të mbrojë marrëdhëniet midis dy vendeve.

Momentalisht, objekti i ambasadës serbe është “amanet” i institucioneve vendase për ruajtjen e rendit. Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr masa për mbrojtjen e sigurisë dhe integritetit të ambasadës serbe në Shkup. Këto masa merren pasi Qeveria e Serbisë i thirri diplomatët e saj në konsultime urgjente në Beograd. Ndryshe, dy shtetet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike në vitet e 90-ta, por këto marrëdhënie disa herë u zbehën pikërisht për shkak të pozitës së Maqedonisë ndaj Kosovës.

Kështu kur Qeveria e Maqedonisë e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, ambasadori i atëhershëm në Beograd, Aleksandar Vasilevski u shpall persona non grata me çka u detyrua ta lëshojë vendin. Ndërsa ambasadori i atëhershëm Zoran Popoviç qëndroi në Shkup por i dërgoi notë proteste Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Artikulli paraprakITALI, TËRMET NË ISHULLIN ISKIA
Artikulli tjetër“SHQIPONJAT”, FUSIN NË SITË MAKINAT LUKSOZE