Shembet Teatri Kombëtar. Forca të shumta policie rrethuan gjatë natës Teatrin, ndërsa fadromat nisën shembjen e tij me gjithë kundërshtimet dhe protestat e artistëve.

Policia ka përdorur forcën për të larguar artistët dhe qytetarët e po kështu ka hedhur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Njëkohësisht janë shoqëruar disa prej tyre si aktori Neritan Licaj, Astrit Seranaj, Juli Emiri, Artan Manushaqe.

Policia shoqëroi edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, por është lënë e lirë më pas.

Kujtojmë se artistët dhe shoqëria civile të mbështetur nga opozita kanë protestuar prej gati dy vjetësh kundër shembjes së Teatrit Kombëtar duke denoncuar si një aferë korruptive qëllimet e qeverisë për prishjen e tij. Pasi nuk u arrit dot shembja e godinës me vendimet e parlamentit, qeveria ia kaloi truallin e Teatrit në pronësi Bashkisë së Tiranës pak ditë më parë dhe ndërkohë që vendi është në gjendje të fatkeqësisë natyrore. Më pas Këshilli Bashkiak vendosi shembjen e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që komuniteti i artistëve dhe Aleanca për mbrojtjen e Teatrit denoncoi në prokurori zyrtarë të Institutit të Ndërtimit pasi sipas tyre kishin firmosur fiktivisht aktekspertimin për gjendjen e godinës së TK, në të cilin është bazuar dhe vendimi i Bashkisë për ta shembur.

Kujtojmë se Presidenti i Republikës Ilir Meta gjithashtu është shprehur kundër shembjes dhe ka dorëzuar dy padi në Gjykatën Kushtetuese.

Artikulli paraprakORGANIZATA PËR USHQIMET DHE AGRIKULTURËN: SHQIPËRIA NDËR VENDET E PARA NË EUROPË PËR KONSUMIMIN E FRUTAVE
Artikulli tjetërSHOQËROHEN NË POLICI DY ISH DEPUTETËT E LSI, BRAHIMLLARI DHE KËRPAÇI