Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar një takim në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës me drejtuesit më të lartë me në krye drejtorin Niko Brahimaj. Në fokus të këtij takimi ka qenë vrasja e ndodhur tre ditë më parë e shtetasit Bardhok Planaj në fillim të rrugës Shkodër-Koplik.

Kreu i policisë së shtetit ka kërkuar që të njihet nga afër se në çfarë faze janë hetimet lidhur me këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në Shkodër ku mbeti i vrarë Bardhok Planaj. Drejtorit të përgjithshëm i është bërë e ditur se deri më tani grupi hetimor nuk ka ende të dhëna të vlefshme lidhur me shkaqet që çuan në vrasjen e Planaj apo edhe se kush mund të jenë ekzekutuesit apo porositësit e këtij krimi të rëndë.

Nga ana e tij drejtori i përgjitshëm Veliu i ka kërkuar efektivëve një angazhim maksimal për të gjetur çdo detaj të mundshëm që mund të hedhë dritë sado pak rreth kësaj vrasjeje për të arritur më pas zbardhjen e plotë të saj. Po ashtu kreu i policisë së shtetit ka kërkuar që hetimet të vijojnë intesivisht dhe të mos ketë asnjë lloj neglizhence në këtë çështje. Drejtori i policisë së Shkodrës i ka bërë të ditur angazhimin e tij të plotë dhe grupit hetimor lidhur me hetimet për vrasjen e Bardhok Planaj.

Ndërkohë deri më tani policia nuk ka ende asnjë gjurmë të autorëve. Grupi hetimor po has vështirësi për të lokalizuar lëvizjen e mjetit nga i cili qëlluan autorët duke qenë se ende nuk është gjetur se nga ka lëvizur ajo makinë dhe se cilën rrugë ka ndjekur për të mbërritur në afërsi të banesës së 46 vjeçarit.

Policia deri më tani ka vetëm momentin fundor të mjetit të autorëve kur ata qëllojnë shtetasin Bardhok Planaj i cili ndodhej në fouristradën e tij Range Rover ngjyrë e zezë ndërsa nuk dihet se cilat akse rrugore kanë përshkuar autorët e vrasjes deri sa kanë mbërritur aty.

Bardhok Planaj u qëllua për rreth 200 metra në ndjekje e sipër ndërsa dy autorët nuk kanë dalë aspak nga mjeti i tyre të cilin pas vrasjes e dogjën pak metra më tutje duke u larguar në drejtim të paditur.