Këto janë pamjet e kazanëve të mbeturinave të cilat digjen gjatë orëve të natës. Për shkak se qëndrojnë për një kohë të konsiderueshme pa u pastruar, persona të papërgjegjshëm herë pas here i vendosin flakën duke u kthyer kështu në një problem. Këto kosha mbeturinash ndodhen në zona kryesore të Shkodrës dhe qëndrojnë për disa orë me radhë duke krijuar një imazh aspak të mirë për turistët e huaj që vijojnë të jenë prezent në Shkodër por edhe duke shkaktuar dëme në mjedis.

Pastrimi i koshave të mbeturinave dhe mbajtja pastër e qytetit të Shkodrës vijon të mbetet një sfidë më vete. Ndërkohë ky nuk është i vetmi problem. Në orët e natës një prani e konsiderueshme të qenve endack është kthyer po ashtu në një problem.

Qentë ndodhen në zemër të qytetit të Shkodrës, në pedonale, pranë Kinemasë apo edhe në zona të tjera ku janë të vendosur hotelet kryesore të qytetit. Përveçse të rrezikshëm për kalimtarët vendas, janë kthyer në një problem për turistët që akomodohen në hotelet në qendër të qytetit duke prishur rehatinë e turistëve të huaj të cilët e kanë shprehur një shqetësim të tillë. Edhe për kafshët endacake pavarësisht zhurmës së madhe ende nuk po gjendet një zgjidhje përfundimtare për t’i larguar nga rrugët e qytetit.

Ndërkohë një problematikë tjetër në orët e vona mbetet edhe mungesa e ndriçimit rrugor për shkak të defekteve të ndryshme. Mbrëmjen e kaluar një pjesë e pedonales pranë bashkisë Shkodër qëndroi në errësirë.

Artikulli paraprakSHKODËR, RRITET ME 5% NUMRI I STUDENTËVE
Artikulli tjetër“VIZITA”, SHFAQJA PREMIERË NË “MIGJENI”