Nën moton ‘Për një Parti Demokratike, më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar” Sali Berisha mbledh sot Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ditë e cila sipas tij do të shënojë rithemelimin e PD.

Mikpritja e demokratëve do të bëhet në stadiumin Air Albania, ku po përgatitet ngritja e një podiumi, në të cilin do të mbajnë njëri pas tjetrit fjalën për rreth 5 orë ish lideri i PD dhe ish themelues të saj, delegatë dhe ata që u bënë pjesë e grupit që hartoi draft-statutin e ri.

Delegatët do kenë zonën e tyre të ndarë, por pjesa tjetër e stadiumit ‘Air Albania’ do jetë e hapur për gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike që duan t’i bashkangjiten punimeve të Kuvendit.

Punimet do të nisin në orën 10:00, ndërsa që në nisje do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve, të cilët më pas do të duhet të votojnë disa qendra votimi të ngritura rreth stadiumit për propozimet e Berishës.

Verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë elektronike, përmes një karte me të cilën ata janë pajisur paraprakisht. Do të jenë grupe të rinjsh që do të checkojnë fillimisht kartat elektronikisht.

Mbi kartë janë të shënuara emër, atësi, mbiemri dhe pozicioni politik në parti ose degë i delegatëve, por edhe një kod sigurie që do ti mundësojë Komisionit të Verifikimit të mandateve që do të ngrihet po nesër në kuvend për verifikimin e tyre lehtësisht.

Në Kuvend do të propozohen disa ndryshime statutore, për të cilat ka punuar një grup ekspertësh që iu bashkuan Sali Berishës, si Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi.

Dy më të rëndësishmet, miratimi i Nenit ‘Basha’ që përcakton se kryetari shkarkohet automatikisht nëse humb zgjedhjet e përgjithshme ose kalon në votëbesim nëse humbet ato lokale, dhe pëfshirja e anëtarësisë në marrjen e vendimeve nëpërmjet referendumit. Nesër pritet që nëse ka kuorum, të votohet një mocion mosbesimi për Bashën, pra për ta shkarkuar. Organizatorët pohuan për Report Tv se nëse miratohet shkarkimi, do te ngrihet një komision që do të marrë drejtimin e partisë.

E në një kohë kur Berisha bëhet gati të ‘rimarrë në duar’ partinë, kyedemokrati Basha sfidon duke organizuar një festë në selinë blu për themelimin e PD. Në selinë e PD do të vendoset edhe një pllakatë prej xhami në të cilën do të jenë firmat e themeluesve të partisë në 11 dhjetor 1990. Nuk dihen nëse pjesë e këtyre firmave do të jetë edhe ajo e Sali Berishës, si një nga personat kyç të formimit të kësaj force politike.

Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga Kuvendi i Berishës, ky i fundit i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, mbetet për t’u parë nëse do të kemi rithemelim të partisë më madhe opozitare në vend, apo përçarje ‘historike’ të saj.

Artikulli paraprakCFARE NDODHI? EKIPI I VLLAZNISE NDERPRET EMISIONIN E BIG BROTHER
Artikulli tjetërNGA VOTIMI I NDRYSHIMIT STATUTOR TE VOTA E FSHEHTË PËR SHKARKIMIN E BASHËS, ÇFARË PRITET TË NDODHË SOT NË KUVENDIN E BERISHËS