Sot nis viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar. Rreth 29 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Që në orët e para të mëngjesit, ka trafik të rënduar në rrugët e Tiranës pasi të gjithë prindërit nxitojnë që të çojnë fëmijët në orar në shkollë. Këtë vit, janë futur në bankat e shkollës 450 mijë nxënës në total në të gjithë vendin. Duke bërë krahasim me një vit më parë, janë rreth 30 mijë më pak.

 

Risi e këtij viti është abetarja e përbashkët për nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë. Sfida e madhe është ruajtja dhe përforcimi i Gjuhës Shqipe, ndaj dy qeveritë kanë vendosur të sjellin abetare unifikuar për të gjitha trevat shqiptare që i kalon përmasat e aspektit arsimor, pasi do të ishte një arritje e të gjithë kombit shqiptar.

Marrëveshja për një abetare të përbashkët Shqipëri-Kosovë, u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Dakordësia për të patur një abetare të unifikuar u arrit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që u mbajt në Elbasan më 26 nëntor 2021.

Në duart e nxënësve të klasave të para nuk do të jetë vetëm abetarja e unifikua por edhe libri i lëndës së Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit. Me fillimin e vitit të ri shkollor nisi edhe zbatimi i kurikulës së kodimit në klasa të para, në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit që janë të pajisura me laborator të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Këtë vit shkollor për herë të parë do të ketë shkollë të mesme për nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë, në fushën e të nxënit Teknologji dhe TIK. Nxënësit që mbarojnë klasën e nëntë në këtë institut nuk do të qëndrojnë më në shtëpi, por do të kenë mundësi të vijojnë studimet dhe të fitojnë një profesion. Në Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë janë hapur dy klasa të X-ta dhe te regjistrohen rreth 25 nxënës. Godina që do të shërbej si shkollë e mesme do të jetë po  e njëjta (pra ajo aktuale në zonën e “Medresesë” në Tiranë.) Nxënësit do të jene nga Tirana dhe rrethet. Nxënësit nga rrethet do të akomodohen pranë konvikteve të shkollës. Gati janë bërë 10 dhoma për djem dhe 10 për vajzat (për nxënësit e shkollës së mesme).

Ndërkohë, këtë vit shkollor do të hapen disa shkolla në vend, të rindërtuara pas tërmetit. Vetëm në kryeqytet do të hapen 12 shkolla të reja, të reja të projektuara nga arkitekti I njohur, Stefano Boeri, mes tyre 9-vjeçarja ‘Andrea Stefani’ që u inaugurua një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Kjo shkollë do të presë rreth 1 mijë nxënës të Njësisë 11.Gjithashtu, këtë vit i shtohen arsimit 235 punonjës psikosocial dhe 75 oficerë sigurie.

Artikulli paraprakÇ’PO NDODH NË UKRAINË? NDIZEN SIRENAT E ALARMIT PAS SULMIT NË KHARKIV
Artikulli tjetërAMBASADORJA AMERIKANE: ARSIMI DO TË JETË KYÇ PËR RRUGËN E SHQIPËRISË DREJT BE