U prit që Vllaznia të mos kishte mungesa të tjera përveç Sefës dhe Krymit që janë të pezulluar me kartonë të verdhë.

Megjithatë sëfundmi në radhët e kuqebluve mësohet me shumë mundësi do të mungojë në përballjen ndaj Teutës mbrojtësi Polizoi Arbri. Beratasi ka disa kohë që vuan nga një dëmtim në këmbën e tij dhe ende nuk ka arritur që të rekuperohet plotësisht. Që nga faza përgatitore e Ulqinit por edhe më tej Arbri nuk ka qenë në formën e tij më të mirë për shkak të dëmtimit. Në fushën e lojës nuk e ka treguar një gjë të tillë por stafi teknik dhe ai mjekësor është në dijeni se nuk ka qenë në gjendje që të japë më të mirën e tij. Në këtë mënyrë vazhdon që të vuaj me dëmtimin gjë e cila mund ta penalizojë për transfertën ndaj durrsakëve. Nëse mungon atëherë për trajnerin e Vllaznisë Armando Cungu është një problem më shumë për ekipin e tij. Kështu me tre mungesa, duke i shtuar Arbrit edhe Sefën dhe Krymin Vllaznia nuk e ka aspak të lehtë në sfidën ndaj Teutës të dielën. Nëse Arbri nuk do jetë në gjendje të jetë në fushën e lojës për shkak të dëmtimit të tij atëherë me shumë mundësi beratasi do të zëvendësohet nga i riu Erdenis Gurishta. Ky i fundit ditët e fundit është rikthyer në ekip sepse gjendej i grumbulluar me kombëtaren e 21 vjeçarëve. Rikthimi i Gurishtës duket se ka ardhur në momentin e duhur tani kur skuadra ka nevojë për të në rast se Arbri s’do jetë në gjendje që të luaj. Kështu në vend të Sefës do të luaj Tafili, në vend të Krymit malazezi Rudoviç dhe në vend të Arbrit mund të jetë Gurishta. Tre ndryshime që për Vllazninë nuk janë pak aq më tepër në një përballje të rëndësishme siç është ajo ndaj Teutës. Pavarësisht kësaj shkodranët do të tentojnë një rezultat pozitiv.

Artikulli paraprak“FROM IDEA TO LIFE” MBËSHTETJE PËR BIZNESET E REJA
Artikulli tjetërRAMA-META, TAKIM TEK “VILA QEVERITARE”