Njësoj si vitin e kaluar edhe sivjet shpërblimet e fundvitit për punonjësit e administratës publike do të jenë të reduktuara. Kjo pasi qeveria ka vendosur si kusht për përfitimin e parave performancën e lartë të punonjësve në punë, për të cilën nuk dihet ende se cili do të jetë matësi ose sesi do të bëhet vlerësimi.

Ndërkohë, ndërsa pritet vendimi i qeverisë që do parashikojë qartazi kategoritë dhe shumën e parave që do përfitojnë të “përzgjedhurit”, burime konfidenciale bëjnë me dije se në sektorin e Arsimit do të shpërblehen vetëm mësuesit e 10 shkollave më të mira në vend, duke përjashtuar automatikisht pjesën tjetër të arsimtarëve. Praktikë e njëjtë me atë të një viti më parë, ku mësuesit e 10 shkollave më të mira 9-vjeçare dhe të mesme u shpërblyen me 40 mijë lekë të reja, pothuajse një pagë më shumë, për të cilën thuhet se edhe këtë vit do të jetë e njëjta. Janë 560 mësues, nga 10 shkolla të mesme publike të rankuara si më të mirat, në nivel kombëtar, pas analizës që Ministria e Arsimit i bëri procesit të Maturës Shtetërore 2013-2014, që do të marrin 40 mijë lekë të reja shpërblim. Praktikisht pas analizës së MAS, rezultuan si më të mirat 20 shkolla të mesme, 10 publike dhe 10 private, por shpërblim do t’u jepet vetëm 560 mësuesve të shkollave të mesme publike. Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit, sqarojnë se numri i nxënësve të shkëlqyer në vend, që nga pjesa e dytë e ciklit 9-vjeçar dhe për të gjithë ciklin e mesëm, që do të përfitojnë 50 mijë lekë të reja, është mbi 6500. Një tjetër kategori që do të përfitojë nga shpërblimet e Vitit të Ri janë edhe studentët e ekselencës, që në total janë mbi 20, ku secili prej tyre do të përfitojë 50 mijë lekë të reja.

Artikulli paraprakISHSH: KLINIKAT DHE LABORATORËT NËN “SITËN” TONË
Artikulli tjetërKONCERT NË PIANO NË SHTËPINË SHKOLLORË 6-14 VJEÇ