Vllaznia vijon të jetë aktive në merkato. Kështu, nga burime të “STAR Plus” mësohet se kuqeblutë janë shumë pranë transferimit të një futbollisti në repartin e sulmit. Në fakt, bëhet fjalë për sulmuesin brazilian, Bruno Gomes, i cili është pa skuadër pas prishjes së kontratës me ekipin e Nacional në Portugali, pas tre viteve që ka luajtur me këtë skuadër. Sulmuesi 27-vjeçar nga Sao Paulo, kishte mbërritur në kampionatin portugez nga rradhët e skuadrës së Parana nga Brazili, aty ku gjithashtu kishte qenë pjesë e Vitorias dhe Intenacionalit, por pa arritur të luajë asnjë minutë me këto ekipe. Gomes e ka nisur karrierën e tij, duke u aktivizuar tek Estoril, ku ka luajtur për vetëm një sezon, përpara se të shkonte me Desportivo Aves në Portugali dhe me Modenën në Itali. Gomes për tre sezone me Nacionalin ka zhvilluar 37-ndeshje, shumicën prej tyre si zëvendësues, duke shënuar pesë gola. Mesa duket, Bruno Gomes, që vjen nga Nacional në Ligën e dytë portugeze, është i përzgjedhuri i kuqebluve për të qenë si një alternativë për vijën e sulmit. Nga sa mësojnë burimet e “Star Plus”, palët duket se kanë arritur akordin dhe së shpejti do të vijë edhe zyrtarizimi. Gomes është një futbollist që luan si qendërsulmues, teksa pritet të jetë si dublues i Bekim Balajt dhe për këtë arsye, në Shkodër i kanë besuar aftësive të tij, teksa mbetet për t’u parë paraqitja që do të zhvillojë ai me Vllazninë.

Artikulli paraprakDY FSHATRA ME HISTORI SHUMË PAK TË NJOHUR
Artikulli tjetërFINALIZOHET OPERACIONI POLICOR I KODUAR “MOSCOW”, ARRESTOHET 59- VJEÇARI