Për kuqeblutë vjen dhe miqësorja e tretë në këtë përgatitore vere. Pasditen e sotme, në orën 18.00, në stadiumin e qytetit të Tuzit të Malit të Zi, Vllaznia do të ndeshet me skuadrën vendase të Deçiçit, që në kampionatin e ri do të jetë sërish pjesmarrëse në Superligën Malazeze. Kjo miqësore do t’i shërbejë stafit teknik të skuadrës shkodrane për të parë edhe njëherë tjetër ndryshimet në skuadër.

Janë tre lojtarë në provë, kosovarët Arifaj, Gavazaj e Ramadani, dhe kuptohet që përballja e sotme do të jetë një test i rëndësishëm për fatin e tyre të mëtejshëm. Po ashtu, edhe për disa lojtarë të rinj shkodranë, që janë duke u stërvitur prej ditësh te Vllaznia, për të cilët ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet me ta, do qëndrojnë apo jo në skuadër edhe për sezonin e ri. Miqësorja ndaj Deçiçit do të jetë mundësia që kuqeblutë të marrin fitoren e parë në këto përgatitore. Kjo ngaqë ato i kanë humbur dy ndeshjet e kaluara, pikërisht 0-1 ndaj malazezëve të Zetës dhe 1-2 ndaj Kastriotit të Krujës. Takimi i sotëm do të jetë një mundësi për të testuar edhe njëherë tjetër lojtarët e ardhur në merkaton e kësaj vere, të cilët duan më shumë kohë në dispozicion për t’u harmonizuar me pjesën tjetër të skuadrës. Ndonjëri prej tyre ka shfaqur edhe probleme dëmtimesh dhe kjo e ka lënë jashtë skuadrës në miqësoret e fundit e për këtë arsye pritet me interes që Vllaznia të jetë e plotë sa më parë për të verifikuar forcën e vërtetë të saj, kur ka mbetur edhe më pak se një muaj nga nisja e kampionatit.

Artikulli paraprakZAHO MBUSH 1 VJEÇ, JO FESTË MADHËSHTORE POR FAMILJARE
Artikulli tjetërVLLAZNIA “DASHUROHET” ME FUTBOLLISTËT KOSOVARË