Vllaznia dhe Ardit Deliu kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë bërë gjithçka zyrtare. Mesfushori 26-vjeçar është prezantuar nga klubi shkodran si futbollisti më i ri i kuqebluve me anë të një videoje të postuar në faqen e vet. Deliu, sipas burimeve të “Star Plus”, ka firmosur një kontratë 1+1 me Vllazninë. Ai është goditja e dytë e merkatos verore të shkodranëve, pas Amir Kahrimanoviç. Padyshim që, kjo është një goditje e rëndësishme për Vllazninë, që forcon në këtë mënyrë skuadrën para sfidave europiane me një element me kualitet si Deliu.

Sapo u mësua se ai do të largohej nga Tirana, klubi shkodran u vendos në lëvizje dhe ia doli ta bindë futbollistin të vishet kuqeblu. Përpara Tiranës, ai ka veshur fanellën e Besës dhe Laçit në futbollin shqiptar. Ndërkohë që, ka provuar të luajë edhe në Kroaci me RNK Split dhe Hajduk Split 2. Poashtu, ai ka pasur edhe një aventurë të shkurtër në Letoni me Liepajan, para se të kthehej në Superiore me fanellën e Tiranës. Në garën për shërbimet e Deliut, Vllaznia fitoi konkurrencën me klubet e tjera shqiptare që gjithashtu donin mesfushorin ta kishin në organikën e tyre.

Ndërkohë, afrimi i tretë i Vllaznisë pritet të jetë ish-kapiteni i saj, Erdenis Gurishta. Mbrojtësi 29-vjeçar i ka dhënë fund aventurës në Bullgari dhe ka rënë dakord me drejtuesit e klubit shkodran për të veshur sërish fanellën kuqeblu. Tashmë, pritet vetëm zyrtarizimi, që duket vetëm çështje ditësh. Gurishta do të rigjejë te Vllaznia trajnerin Thomas Brdariç, me të cilin me siguri do të zërë vend në formacion. Sezonin e fundit ka luajtur në krahun e djathtë të mbrojtjes Geralb Smajli, i cili nuk ka rinovuar.

Megjithatë, të paktën për momentin, Smajli nuk mund të largohet, pasi klubi që e do, duhet të paguajë taksën e formimit te Vllaznia, që sipas rregullores i bie të jetë një shumë prej 130-mijë eurosh. Poashtu, Vllaznia ka zyrtarizuar edhe kontratën e firmosur me portierin 18-vjeçar Aron Jukaj, i cili për tre vitet e ardhshme do të jetë i veshur kuqeblu. Jukaj është prej disa vitesh pjesë e Akademisë Vllaznia dhe tashmë ka ardhur momenti për të treguar vlerat e tij më të mira, teksa bashkë edhe me Qarrin dhe Mehdrin, kjo treshe ofron siguri për portën kuqeblu.

Artikulli paraprakLEZHË, LAGJJA E STACIONIT TË TRENIT SI NË MESJETË
Artikulli tjetërRESTAURIMI I VARRIT TË IDROMENOS, PROJEKT NË LETËR