Vllaznia është mposhtur nga Teuta me rezultatin 1-3 në ndeshjen e rradhës në kampionatin e volejbollit të meshkujve. Edhe pse, kuqeblutë arritën ta fitojnë setin e parë në shifrat 25-23, në setet e tjera janë miqtë nga Durrësi që fiksojnë fitoren me shifrat 24-26, 25-27 dhe 22-25. Vllaznia, me në krye kapitenin Nikolin Qafarena, u mundua të bënte diçka në lojën e saj, por në fund Teuta fitoi të gjithë ndeshjen me rezultatin 1-3. Megjithatë, edhe pse u mposht 1-3, për trajnerin e Vllaznisë, Artan Kalaja, skuadra e tij, e cila është vetëm me volejbollistë shkodranë, luajti më mirë se në ndeshjet e tjera, duke dhënë garanci për një rikthim tek rezultatet pozitive.
Kalaja foli edhe për dy volejbollistët Ditmir Rrashketa dhe Ardit Taflaj, të cilët prej kohësh mungojnë në skuadër për shkak të mosmarrëveshjeve sa i përket trajtimit ushqimor që marrin nga Shoqata e Volejbollit.
Nga ana tjetër, trajneri i Teutës, Mirion Vllamasi tha se kjo fitore në Shkodër ishte shumë e rëndësishme për skuadrën e tij ndaj një ekipi cilësor, siç është Vllaznia.
Kjo është humbja e pestë në gjashtë javë kampionat për ekipin kuqeblu të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, duke thelluar më shumë krizën e mungesës së rezultateve pozitive. Ndërkohë, javën e ardhshme Vllaznia do të luajë në kryeqytet përballë Studentit.