I AKUZUAR SHPËTIM SADIKU, VRASJA PËR NJË BORXH 1 MILION LEKË TË VJETRA. 35 vite burg kërkon prokuroria e Shkodrës për vrasjen e biznesmenit 51 vjeçar Palok Lazri. Ngjarja ndodhi në 20 nëntorin e 2013-ës teksa i akuzuar për veprën penale “vrasje me paramendim për hakmarrje” është shtetasi Shpëtim Sadiku i cili akuzohet edhe për “armbajtje pa leje”. Para më shumë se një viti e gjysëm vendin e quajtur “Ura Dervishbeg” 51 vjeçari Palok Lazri u qëllua me pistoletë teksa mori në trupin e tij 3 plumba nga një pistoletë me silenciator.

Organi i akuzës në Shkodër gjatë hetimeve ka arritur në konkluzionin se biznesmeni Lazri që mbeti i vrarë mund të ketë patur një konflikt me vëllain e autorit të akuzuar për vrasjen, kjo për shkak të një borxhi që ende nuk ishte shlyer. Shtetasi Ardit Sadiku, vëllai i Shpëtim Sadikut që akuzohet për vrasjen punonte tek viktima që në atë kohë kishte edhe një firmë ndërtimi. Borxhi mendohet se ka qenë rreth 100 mijë lekë të reja që biznesmeni Lazri nuk ia kishte dhënë vëllait të autorit të kësaj ngjarje. Prokuroria në pretencën e saj sqaron se “Raportet mes Lazrit dhe vëllait të autorit kishin qenë konfliktuale prej disa kohësh para ngjarjes, madje në një rast, vëllai i autorit e ka qëlluar me thikë të vogël shtetasin Lazri në vitin 2012 dhe për këtë është dënuar me 8 muaj burgim. Pavarësisht dënimit, raportet ndërmjet Lazrit dhe vëllait të autorit, shtetasit Ardit Sadiku, kanë vijuar të jenë konfliktuale, pasi pagesa që pretendohej ende nuk ishte paguar” bën të ditur Prokuroria e Shkodrës. Organi i akuzës në hetimet e bëra konsideron se ky konflikt prej rreth një viti ka bërë që shtetasi Shpëtim Sadiku ta vëzhgojë biznesmenin Palok lazri derisa ka arritur që ta qëllojë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend. Prokuroria ka bërë hetimet teksa shtetasi i akuzuar Shpëtim Sadiku është me masën e sigurisë “burg pa afat” dhënë nga gjykata e Shkodrës.

Artikulli paraprakME 5 QERSHOR NË TEATËR MIGJENI “TINGUJ PASIONESH”
Artikulli tjetërKETI BAZHDARI TAKOHET ME BANORËT NË GURIN E ZI