
Ndërkohë që numërimi vazhdon pa u ndalur në gjashtë shtetet e fundit dhe kryesore, ka reaguar edhe kandidati Joe Biden.
Biden ka shkruar se “Çdo votë duhet të numërohet”. Twetti i tij shoqërohet nga një video që tregon njerëz që votojnë.
Sakaq në Pensilvani vijon numërimi i 140 mijë votave të fundit. Komisionerja në Filadelfia, Lisa Deeley ka treguar se janë numëruar 350 mijë vota, ku nuk janë përfshirë votat e marra pas ditës së dielë.
Nëse gjithçka do të shkojë si duhet, numërimi i votave në Fulton të Georgisë pritet të mbyllet nga momenti në moment.
Rezultatet po ngushtohen mes Trump dhe Biden, teksa po i jepet dora e fundit votave të dërguara me postë. Autoritetet raportojnë se kanë mbetur edhe 10-11 mijë vota të fundit për t’u numëruar, teksa janë skanuar 137.134 fletë votimi.
Georgia është një ndër vendet që i duhet presidentit Trump për të siguruar disi avantazhin ndaj Biden.
Është publikuar edhe skema e fundit për fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.
Ekspertët kanë bërë me dije se tashmë Biden i duhet fitorja vetëm në Pensilvani për të fituar 270 mandatet e nevojshme.
Në Filadelfia janë numëruar rreth 79% të votave, ku raportohet se kryeson Biden.
Aktualisht, Presidenti Trump po udhëheq me vota në Keystone, por drejtimi i tij është ngushtuar ndjeshëm në 24 orët e fundit.
Ndërsa numëroheshin më shumë fletëvotime me postë, Trump kaloi nga një diferencë mbi 600,000 vota në 164,000 vota përpara kundërshtarit demokrat.
Presidentit Trump i duhet të mbajë fronin në Pensilvani për të arritur 270 votat, ndërkohë që duhet të ketë fitoren edhe në një prej tre shteteve Arizona, Karolinën Veriore dhe Georgia.