Ndonëse të ardhurat nga sigurimet shoqërore në 6-mujorin e parë ishin në rritje në krahasim me 2020, prej rritjes së normës së pagesës së kontributeve nga rritja e pagës minimale, kjo nuk e ka penguar deficitin e skemës së pensioneve të zgjerohet më tej.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore raportoi se gjatë janar-qershor deficiti i skemës së pensioneve pra shpenzimet që nuk u mbuluan dot me të ardhura arritën në 12,6 miliardë lekë ose 23% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, ku deficiti i skemës ishte 10.3 miliardë lekë.

Deficiti po zgjerohet për shkak se shpenzimet po rriten me shpejt se ritmet e grumbullimit te të ardhurave nga kontributet. Edhe pse qeveria rriti masën e kontributeve, si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale në 1 janar 2021 me 30,000 lekë nga 26,000 lekë që ishte më parë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të frenuar deficitin të zgjerohet, pasi shpenzimet e skemës janë në presionin e plakjes së popullsisë.

ISSH njoftoi se vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti kanë plotësuar kriteret për pension rreth 11 mijë persona. Zakonisht skema e pensioneve shtohet me 15-16 mijë pensionistë në vit, ku shumica janë përfitues të skemës se pleqërisë. Deficiti i skemës së pensioneve do të ishte më i lartë nëse nuk do të ishte miratuar reforma e re pensioneve që hyri në fuqi në fillim të vitit 2015, e cila rriti moshën e daljes në pension e për rrjedhojë frenoi numrin e pensionistëve të rinj në skemë.

Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 180 mijë kontribuues të rinj që nga 2013-ta. Ekspertët në ISSH thonë se, pa reformën do të kishim thellim të mëtejshëm për shkak se numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht.

Kjo paqëndrueshmëri financiare është rezultat i rritjes së shpejtë të masës së pensioneve para pak viteve.

Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.

Artikulli paraprakSHKODËR, MUNGESA E LEGJISLACIONIT PENGON HAPJEN E GJUETISË
Artikulli tjetërSHKODËR, INFERMIERËT: PAGAT E ULTA, ZGJODHËM GJERMANINË