Pas postimit të kryeministrit Rama në rrjetet sociale ku publikonte një tjetër rast të bllokimit të një pike karburanti në saj të aksionit anti-informalitet, kanë qenë të shumta komentet që i janë adresuar atij.

Një komentues i ka shkruar duke e pyetur nëse aksioni anti-informalitet vjen në shenjë ‘hakmarrje’ nga kryeministri Rama për shkak se mund t’i jetë prishur makina nga karburanti jocilësor. Por kaq është dashur që kryeministri t’i përgjigjet duke i thënë se makinës nuk di t’i japë, por tregon pse po i japin me shumë gaz makinës së shtetit siç shkruan ai.

Komentuesi: Me duket se makina jote e ka pësuar kësaj rradhë se ska mundësi se po merr këtë nismë. Gjithsesi shpresoj ti kontrollosh të gjithë pa dallime.

Rama: Une s’di t’i jap makinës kështu qe nuk e ndjej ca pëson makina.. Po kjo nuk është një përpjekje qe po fillon tani, megjithëse njeriu harron shpejt dhe shumëkush e ka harruar ca katrahure totale ka qene ky vend ca vite përpara!

Tani thjesht po i japim me shume gaz ne këtë drejtim makinës se shtetit. Do thuash ti po pse tani e jo përpara me kaq gaz? Sepse nuk bëhen dot te gjitha menjehere vella. Përqaf”

Kujtojmë se aksioni anti-informalitet është shtrirë në të gjithë vendin tonë dhe një nga sektorët që po kontrollohet rreptësisht është ai i furnizimit me karburant. Nga ky aksion janë bllokuar dhe janë gjobitur shumë pika karburanti nga më të mëdhatë si ajo e ‘Gega Oil’ ku në Porto Romano iu bllokuan disa ton karburant pa akcizë dhe u dënua me 350 mijë euro gjobë.

Po ashtu një ditë më parë ministrja e Energjitikës, deklaroi se në Porto Romano do të ngrihet një laborator kontrolli për cilësinë e karburantit. Ndër të tjera ministrja deklaroi se cilësia e karburantit dhe shkeljet do të konsiderohen të njëjta me evazionin fiskal.