Burgu i Spaçit mbetet padyshim një nga shëmbëlltyrat më të urryera të regjimeve totalitare në Europën Lindore. Shumë pak të rinj e kanë vizituar Spaçin, edhe pse të gjithë mund të kemi lexuar dhe dëgjuar për të.

Një grup gjimnazistësh nga e gjithë Shqipëria, që janë njohur me komunizmin përmes konkursit „Pyet Gjyshërit“ vizituan nga afër Burgun e Spaçit në Mirditë.

Të rinjtë shprehen se kishin dëgjuar vetëm nga familjarët e tyre për anën e errët të kësaj periudhe diktatoriale, ndërsa vënë theksin që histori të tilla duhet të përfshihen edhe në librat shkollorë pasi këto informacione mungojnë.

“Një përvojë për të reflektuar mbi jetën se duhet t‘i gëzohemi asaj ç’ka na bënë qenie me vlerë: Liria”, shprehet një gjimnaziste.

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ndërmerr shpesh herë nisma si kjo, vizita në vendet e kujtesës, me qëllim njohjen e historisë përmes fakteve dhe personave që kanë përjetuar vuajtje në kohën e komunizmit.

Ish-të pëndjekurit politikë që kanë kaluar nëpërmjet kalvarit të egër të komunizmit, tregojnë fakte rrënqethëse mbi atë se çfarë kanë përjetuar ata ose familjarët e tyre në burgun famëkeq të Spaçit.

Spaçi ishte burg dhe kamp për punë të detyruar, i ndërtuar më 1968. Ndërtimi i tij u bë nga Ministria e Punëve të Brendshme në kohën e diktaturës komuniste duke shfrytëzuar punën e të burgosurve.

Nga të rinjtë e sotëm ka një interes të madh që të njihen me detaje nga periudha komuniste dhe padrejtësitë që kanë kaluar të burgosurit.

Artikulli paraprakSHËNGJIN, FESTIVALI NDËRKOMBËTAR “UNUM 2019”
Artikulli tjetërVRASJA, KOLEGËT: NARDI NË KAFEN E FUNDIT ERDHI I QESHUR