MBYLLJA E BANKAVE NUK KA TË BËJË ASPAK ME PASIGURINË E DEPOZITAVE. Qeveria greke duke përmendur nevojën ekstremisht urgjente për të mbrojtur sistemin financiar, ka vendosur të mbyllë bankat deri në 6 korrik për shkak të mungesës së likuiditetit. Vendimi vjen një ditë pasi Banka Qëndore Europiane vendosi të ndërpresë financimin emergjent të sistemit bankar grek. Athina ka vendosur që tërheqjet nga bankat të kufizohen në 60 euro në ditë.

Gjithsesi, sipas udhëzimeve nuk do të kenë problem shkëmbimet bankare elektronike, ato me përdorimin e kartave të kreditit dhe debitit, si dhe mënyrat e pagesave nëpërmjet “ëeb banking” dhe “phone banking”. Edhe “prepaid cards” mund të përdoren deri në limitin e caktuar që ekzistonte deri para urdhërit për mbylljen e bankave.   Prej së hënës në mesditë, qytetarët do të mund të tërheqin në të gjitha ATM-të deri në 60 euro në ditë, pra 1800 euro në muaj. Turistët e huaj mund të përdorin normalisht kartat e tyre, nëse ato janë dhënë nga bankat e huaja. Ndërkohë, është krijuar edhe një komision i posaçëm që do të miratojë raste urgjente të përdorimit të parave, si pagesa jashtë shtetit në rast sëmundjesh.  Përsa u përket pagave dhe pensioneve, ato do të depozitohen normalisht në llogaritë e klientëve.   Ndërkohë, bëhet e qartë se mbyllja e bankave nuk ka të bëjë aspak me pasigurinë e depozitave për të cilat thuhet dhe theksohet se janë të sigurta dhe nuk kanë asnjë problem, pasi janë të mbrojtura me vendim të BQE-së. Megjithatë, burime qeveritare kanë bërë me dije se me zhvillimet e reja, Greqia ndoshta nuk do të paguajë detyrimin e saj ndaj FMN-së prej 1.5 miliardë eurosh.  Menjëherë pas mbledhjes së këshillit, Kryeministri Tsipras në një deklaratë për mediat tha se “populli duhet të ruajë qetësinë sepse depozitat bankare janë të sigurta”.

Artikulli paraprakMUSTAFARAJ: TË VERBËRIT VDESIN PARA SE TË MARRIN STATUSIN
Artikulli tjetërVLLAZNIA DO TË JETË KONKURUESE, GATI 6 PËRFORCIME