Llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme me vlerë 5.2 milionë euro janë sekuestruar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

Sipas policisë ata janë në pronësi të dy shtetasve dhe dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

“Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019″ informon policia e shtetit.

Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milione Euro dhe 7 apartamente.