Polemika të mëdha në Turqi për disa deklarata të sulmuesit suedez Marcus Berg, pas fitores së Suedisë 1-0 kundër turqve, të shtunën.

Pas ndeshjes, sulmuesi nordik tha se gjatë pushimit foli me arbitrin, rumunin István Kovács, për të protestuar për një penallti të padhënë dhe Kovács i premtoi se nëse kishte vepruar gabim, do ta shpërblente me 2 penallti në pjesën e dytë.

Për koincidencë, ndeshja u zgjidh nga një penallti në favor të Suedisë në minutën e 71-të, që e fitoi pikërisht Berg dhe e shënoi Granqvist. “Në pushimin e ndeshjes shkova tek arbitri të protestoja, sepse mendoja se duhej të më ishte dhënë një penallti në favor. Ia bëra të qartë mendimin tim dhe më premtoi:

‘Do shoh pamjet filmike dhe nëse vërtet kam gabuar, do të të jap dy penallti në pjesën e dytë’”, deklaroi Berg për të përditshmen suedeze Aftonbladet.

Sipas mediave turke, federata e Turqisë do të kërkojë përsëritjen e ndeshjes, pas deklaratave të tilla.