Tre banorë të lagjes “Skenderbeg” të cilët tentuan që të futen me forcë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër dy ditë më parë janë arrestuar nga policia vendore e Shkodrës. Bëhet fjalë për banorët të cilët përmbarimi tentoi t’i nxjerrë nga banesat e tyre këto ditë gjë për të cilën zhvilluan edhe një sërë protestash duke kundërshtuar këtë vendim me pretendimin se janë të ligjshëm në atë ndërtesë ku i ka futur bashkia Shkodër 30 vite më parë.

Një ditë më parë këta banorë përmes një deklarate për shtyp falenderuan policinë vendore të Shkodrës për faktin se policia nuk mbështeti përmbaruesin për t’i nxjerrë nga banesat me forcë. Në këtë mënyrë banorët vlerësuan si të drejtë këtë qëndrim të policisë së Shkodrës. Një ditë pas falenderimit dhe mirënjohjes që shprehën banorët policia e Shkodrës ka arrestua tre prej tyre për ngjarjen e ndodhur tek Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.

Në njoftimin e policisë thuhet se strukturat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër arrestuan shtetasit me inicialet E.M 20 vjeç, P.P 55 vjeç dhe R.K 66 vjeç, banues të tre në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër. Policia shton se arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi kanë kundërshtuar punonjësin e policisë së rendit publik, duke hyrë në mjediset e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për të kërkuar informacion lidhur me caktimin e një seance gjyqësore, pas një padie të bërë nga këto persona në Gjykatë.

Tre të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Banorët qartësuan dy ditë më parë se tentuan të futen me forcë në gjykatë për të bërë një sigurim padie dhe kërkon të takonin një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër dhe se nuk kishin asnjë arsye tjetër.

Banorët nuk u lejuan që të futen brenda gjykatës për të takuar gjyqtaren në fjalë ndaj edhe tentuan të përdorin forcën me pretendimin se është një e drejtë e tyre. Policia Vendore e Shkodrës e ka vlerësuar si një shkelje këtë gjest duke arrestuar tre prej tyre. Për momentin banorët ndjehen të sigurtë në shtëpitë e tyre në rast se nuk do të ketë ndonjë lëvizje tjetër për t’i nxjerrë nga aty me pretendimin se tokës i ka dalë pronari.

Artikulli paraprakSHKODËR,FASADAT RREZIKOJNË KALIMTARËT
Artikulli tjetërSHKODËR, MBËRRIN TRAJNERI BRDARIÇ POR MUNGON ENDE FIRMA