Një 30 vjeçar nga njësia Dajç në Shkodër ka humbur jetën në plazhin e Velipojës. Shtetasi Ervid Palaj hyri për të shpëtuar të fejuarën e tij por është mbytur për vete. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagunën e Vilunit në Velipojë.

 

I riu nga Dajçi ka parë se e fejuara e tij po rrezikonte të mbytej dhe menjëherë ka ndërhyrë duke shkuar për ta shpëtuar. Teksa i jepte asaj ndihmë 30 vjeçari ka humbur jetën për veten e tij. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e qendrës shëndetësore të Velipojës por ka qenë e pamundur që t’i jepet ndihma e parë sepse Ervid Palaj kishte humbur jetën në vetëm pak kohë.

 

Edhe pushuesit e tjerë kanë tentuar ta rikthejnë në jetë duke i dhënë ndihmën e parë por nuk ia kanë dalë. Ky është rasti i dytë që një person humb jetën në plazhin e Velipojës ndërsa para pak kohësh u mbyt një shtetas nga Kosova. Gjatë këtij sezoni turistik po ashtu ka patur me dhjetra raste të tjera të personave që kanë rrezikuar ndjeshëm të mbyten në plazhin e Velipojës.

 

Atje vazhdon që të ketë probleme me mungesën e rojeve bregdetare të cilët në pjesën më të madhe të stacioneve të plazhit nuk janë vendosur dhe kullat e vrojtimit janë të boshatisura ose edhe atje ku janë prania e tyre nuk e ka efiçencën e duhur në shpëtimin e jetëve të mijëra pushuesve.

 

Dy ditë më parë në Velipojë bëri një vizitë ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila ndër të tjera pau edhe qendrën shëndetësore të Velipojës ndërsa foli për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe shpëtimin e shumë jetëve të pushuesve nga ambulanca atje.

 

Edhe pse ministres iu drejtuan disa pyetje pikërisht për rrezikshmërinë e humbjes së jetës në plazhin e Velipojës për shkak të mungesës së disa faktorëve ajo u mundua ta tejkalojë pyetjen. Vetëm dy ditë pas deklaratave të saj vjen rasti i dytë ku një person humb jetën në Velipojë.

 

Artikulli paraprak“PESHKU AUTOKTON DHE MIGRATOR DREJT ZHDUKJES”
Artikulli tjetërPARKINGJET DYSHE SFIDË PËR QYTETIN