Nga kontrolli i ushtruar në disa zona në Tiranë, ka rezultuar se disa automjete të transportit publik transportonin fëmijë e nxënës në shkelje flagrante të rregullave të Qarkullimit Rrugor, si pa kontroll teknik, pa licencë transporti, pa vendosur rripin e sigurimit, pa Leje Qarkullimi, nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, etj.

Policia Rrugore e Tiranës njoftoi sot se nga kontrollet e ushtruara ndaj mjeteve të shërbimit publik, kryesisht mjetet e transportit të specializuar për nxënës shkolle, në zonën e Unazës së Re ka rezultuar se një drejtues autobusi shkolle që transportonte nxënës drejtonte mjetin pa leje qarkullimi, pa kontrollin teknik të mjetit, pa certifikatë transporti për nxënës, në gjendje të dehur, si dhe debitor, pasi ishte ndëshkuar edhe disa herë të tjera për mospërdorim të rripit të sigurimit. Nga verifikimi me aparatin Drager ka rezultuar se I. B., drejtonte autobusin në gjendje tej mase të dehur, ku testi i parë rezultoi 1.38 mg/l dhe testi i dytë 1.47 mg/l. Në këto kushte është bërë arrestimi në flagrancë i I. B., 56 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale të “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal. Gjithashtu është bërë bllokimi i mjetit si dhe është përpiluar masa administrative për shkeljet e gjetura gjatë kontrollit.

Policia Rrugore e Tiranës, do të vijojë kontrollet edhe ditët në vijim dhe gjen rastin t’ju bëjë apel prindërve dhe mësuesve, por edhe vetë nxënësve, që të mos pranojnë të qarkullojnë me automjete që vënë në rrezik sigurinë e jetës së fëmijëve, si dhe të sinjalizojnë Policinë në numrin pa pagesë 112, për çdo problematikë të hasur në këtë drejtim.

Artikulli paraprakVDES 48-VJEÇARI, KARROCIERI NË PRANGA PËR SHKELJE TË RREGULLAVE TË QARKULLIMIT
Artikulli tjetërBURGOSET SHQIPTARI: KAPET PËR TË TETËN HERË PA PATENTË MAKINE