Ftohja që bashkia Shkodër i ka bërë presidentit të Vllaznisë në basketbollin e meshkujve Sokol Dibra po sjell edhe efektet e para negative tek kjo skuadër.

Duke parë situatën jo shumë favorizuese për basketbollistët kanë nisur edhe largimet e para nga ky ekip. I pari që është në tratativa për t’u larguar është basketbollisti Herion Faslija. Shkodrani thuajse i ka dhënë lamtumirën Vllaznisë dhe prej dy ditësh ndodhet në Durrës teksa i është bashkua skuadrës së Teutës dhe firmosja me durrsakët ka mbetur thjeshtë formale. Nga sa mësohet shkak i Faslisë nga Vllaznia është bërë vetëm ana financiare. Në Durrës shkodranit shtatlartë i kanë ofruar një kontratë shumë më të mirë me të ardhura financiare duke bërë që të mos e refuzojë dhe ta pranojë atë. Megjithatë Faslija ia ka bërë të qartë Teutës dhe këtë e ka të parashikuar edhe në kontratën me durrsakët se në rast se presidenti i Vllaznisë Sokol Dibra rikthehet tek ky ekip dhe kërkon shërbimet e tij atëherë basketbollisti ka të drejtë që të rikthehet menjëherë në Shkodër dhe këtë do ta bëjë me dëshirën më të madhe në rast se ndodh një gjë e tillë. Megjithatë situata duket e ftohtë dhe ende bashkia Shkodër nuk gjen modulin e duhur për ta afruar presidentin Dibra që vitet e fundit i dha një kënaqësi të madhe tifozëve shkodran dhe krejt qytetit duke fituar titullin kampion për disa vite me radhë. Në rast se gjërat nuk ndryshojnë atëherë pas Faslisë rruga mund të jetë e hapur edhe për basketbollistë të tjerë për t’u larguar, një alarm ky që dikush duhet ta dëgjojë përpara se të shkatërrohet ekipi që dhuroi pafund kënaqësi dhe bëri krenar shkodranët duke sfiduar Vllazninë e futbollit dhe qindra milionat që derdhen aty.